Është zyrtarizuar kalimi i koncesionit të aeroportit të vetëm në vend, atij të Rinasit te “Kastrati Group”. Transaksioni është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe “Kastrati group” është aksioneri 100% i “Tirana International Airport”, që menaxhon koncesionin e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

“Kastrati Group” i bleu aksionet nga “Real Fortress Private Limited”, në pronësi të grupit kinez të shërbimeve financiare “China Everbright”, që në prill 2016 se kishte nënshkruar marrëveshjen për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Marrëveshja mes “Kastrati Group” dhe “Real Fortress Private Limited” është nënshkruar më 1 dhjetor 2020 dhe është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 18 dhjetor.

  • foto galeri
  • foto galeri

Sipas kontratës, grupi Kastrati do të paguajë gjithsej 71 milionë euro përmes dy pagesave. Sipas referimit në kontratë:
Shpërblimi për aksionet sipas kësaj marrëveshjeje dhe akti i transferimit do të jetë një shumë në para e barabarte me shumën e:

-15,000,000 EUR (“Pagesa Fillestare”); plus
-56,000,000 EUR plus një shumë e barabartë me Rregullimin e Bilancit të Parasë (“Shuma e Mbylljes”);

Grupi kinez, i shërbimeve financiare China Everbright, i kishte blerë në 2016-n të drejtat koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, përmes filialit të saj “Real Fortress Private Limited” për 82.25 milionë euro, sipas kontratës zyrtare. Të drejtat koncesionare iu blenë nga tre aksionerëve Albanian-American Enterprise Fund “AAEF”, DEG-Deutsche investitions-und Entëicklungsgesellschaft mbH” dhe (“AviAlliance GmbH”), që kishin nënshkruar një kontratë koncesioni me qeverinë shqiptare në vitin 2004.

Në mars të vitit 2016 qeveria shqiptare njoftoi se kishte arritur një marrëveshje me kompaninë që menaxhonte aeroportin duke hequr kështu ekskluzivitetin, ngërçin që pengonte hapjen e aeroporteve të tjerë.

Objekti i aktivitetit të përshkruar në ekstraktin e regjistrit tregtar thuhet “Projektimin, financimin, ndërtimin, vënien në punë, mirëmbajtjen, kryerjen, administrimin dhe zhvillimin e Aeroportit Ndërkombëtar ‘Nënë Tëreza’, Tiranë, i cili përfshin, ndër të tjera: marrjen në pronësi nga shoqëria të terminalit të ri, zyrave të reja të administrimit, qendrës së re të ngarkesës ajrore, qendrën e re të furnizimit me karburant (faciliteteve të reja) dhe zotërimi dhe ushtrimi i Uzufruktit nga shoqëria në lidhje me zonën e koncesionit, terminalit ekzistues, sheshi i terminalit ekzistues si edhe ato facilitete të reja të cilat nuk mund të jenë në pronësi të shoqërisë; projektimin, ndërtimin dhe instalimin e faciliteteve të reja dhe të faciliteteve të reja shtesë; rinovimin dhe mirëmbajtjen e terminalit ekzistues, sheshit të terminalit ekzsitues, mjediseve të reja dhe zonës së koncesionit; transferimin e të gjitha të drejtave të zbatueshme në lidhje me facilitetet e reja, qeverisë së Shqipërisë ose një enti të caktuar nga organi shtetëror i autorizuar me mbarimin e afatit ose me mbarimin e periudhës së koncesionit; lidhjen e kontratave me persona të tretë, dhe faturimin dhe mbledhjen e pagesave nga palët e treta për llogari të detyrimeve të aeroportit si dhe detyrimeve të tjera të zbatueshme. Ofrimin e trajnimeve për sigurinë në aviacionin civil, për sigurinë teknike dhe sektorët e tjerë që kanë lidhje me operimin e aeroportit.

Deputeti i opozitës parlamentare Halit Valteri e paralajmëroi kalimin e Aeroportit të Rinasit tek “Kastrati Group” një javë më parë. Valteri tha në seancën parlamentare të 17 dhjetorit se “Kastrati” ka marrë porte e aeropore dhe një drejtor doganash, duke pyetur nëse cenohet kështu siguria kombëtare.

“Shefqet Kastratit i keni dhënë plot 500 milionë euro tendera sot. Rrugën e Kombit, Porto Romanon, tashmë do blejë dhe aeroportin e Rinasit. Pyetja është që një biznesmen ka një aeroport, ka një port, ka vënë dhe një drejtor doganash. A është e kërcënuar siguria kombëtare kur ortaku i Lonit të Bankersit që vjedh pasuritë kombëtare drejton shtetin dhe disa ministra prej jush. Sjell në këtë parlament disa deputetë me paratë e tij, financon qeverinë, opozitën. Shumë këtu e kanë mbyllur gojën nga Kastrati. Pse nuk çoheni të flisni për njeriun që vjedh shqiptarët?
Kujdes me ligjet që votoni dhe anëtarët që çoni në gjykatën kushtetuese sepse janë njerëz që paguhen nga oligarkë”, deklaroi Valteri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb