Nga: JETON SELIMI *

Partizani-Tirana do të luhet me të dyja tifozëritë! Lajmi që ishte në qarkullim ditën e mërkurë është zyrtarizuar dje nga klubi i kuq, që pas një takimi në zyrat e FSHF-së me drejtuesit e federatës dhe krerë të Policisë së Shtetit kanë rënë dakord që të hapin dyert e stadiumit edhe për tifozërinë bardheblu, e cila është ndëshkuar rëndë nga Disiplina për aktet e dhunës në stadiumet e futbollit. Në mesjavë ishte vetë presidenti Duka, që në një prononcim për mediat krijoi vakuumin ligjor për Tiranën, diçka që nuk e ishte bërë më parë, por që u pranua nga të gjithë në të mirë të futbollit dhe spektaklit që krijon derbi i kryeqytetit dhe njëkohësisht ndeshja më e madhe e futbollit shqiptar. “Klubi njofton se derbi i shumëpritur i kryeqytetit, Partizani-Tirana, do të shohë në shkallët e stadiumit ‘Qemal Stafa’ praninë e të dyja tifozërive. Klubi ka mirëpritur vendimin e Federatës Shqiptare të Futbollit për të hapur dyert e stadiumit edhe për tifozerinë bardheblu. Në këtë mënyrë, derbit të shumëpritur të kryeqytetit nuk do t’i mungojë rivaliteti mes dy tifozerive, që padyshim me entuziazmin që ato do të dhurojnë në shkallët e stadiumit, do t’i japin shumë spektakël këtij 90-minutëshi. Klubi ‘Partizani’, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Policinë e Shtetit do të marrë të gjitha masat e duhura që kjo ndeshje të jetë reklama më e mirë për futbollit shqiptar. Klubi fton të gjithë tifozerinë e kuqe të jetë e pranishme sa më shumë në numër të hënën në stadiumin “Qemal Stafa”, për ta kthyer këtë eveniment futbolli në një festë të vërtetë sportive”, lexohet në komunikatën për shtyp të Partizanit, çka vulos përfundimit praninë e të dyja tifozërive në stadium.
Precedenti
Por ky vendim i FSHF-së, e cila bëri çmos që të kishte të pranishëm edhe tifozët e Tiranës në stadium, rrezikon që të bëhet një rast i rrezikshëm për mbarëvajtjen e kampionatit. Logjikisht, çdo klub që ka pasur fushën e ndëshkuar nga Komisioni i Disiplinës, ka luajtur padrejtësisht një ndeshje pa tifozë, nëse i qëndrojmë linjës që FSHF ka përdorur në rastin e Tiranës.
Biletat
Ndërkohë ka pasur amulli sa u takon biletave të ndeshjes. Fillimisht klubi i Partizanit ka publikuar një njoftim ku përcaktohej ndarja e tifozërisë në stadium dhe çmimet e biletave. Sipas njoftimit të parë, një vend në tribunën qendrore A dhe B kushte 1500 lekë të rinj, një vend në tribunën përkarshi D1 dhe D2 kushtonte 400 lekë të rinj, ndërsa tribunat pas porte, C dhe E kushtonin 300 lekë të rinj. Por klubi i kuq e ka fshirë postimin në rrjetin social “Facebook” duke lajmëruar se do të ketë një njoftim të ri, pasi ka pasur shumë reagime në lidhje me çmimet e larta të biletave dhe sidomos me ndarjen e stadiumit, ku ishte lënë bosh për arsye sigurie tribuna historike e ultrasve të kuq, D3, për t’i kaluar në tribunën ku zakonisht qëndrojnë ultrasit e Tiranës, D1.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb