Departamentet e shëndetit publik në mbarë Shtetet e Bashkuara po i bëjnë thirrje Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) që të tërheqin ndryshimet që agjencia federale u bëri së fundmi udhëzimeve për testimin për koronavirusin.

Koalicioni Shëndetësor për Qytetet e Mëdha dhe Shoqata Kombëtare e Zyrtarëve të Shëndetësisë të Qyteteve dhe Distrikteve që përfaqësojnë mijëra departamente lokale, u dërguan të premten një letër krerëve të CDC-së dhe Departamentit për Shërbimet e Shëndetësisë, duke kërkuar që këto agjenci “të tërhiqnin” këshillat e rishikuara për testimin e virusit.

Organizatat u bënë gjithashtu thirrje atyre që të rifusnin në fuqi rekomandimet sipas së cilave, njerëzit që kanë pasur ekspozim ndaj virusit, të testohen edhe nëse nuk kanë simptoma.

Në letrën e tyre, grupet shëndetësore thonë se vendimi i CDC-së për të tërhequr udhëzimet këtë javë “kushton jetë dhe mjete jetese” dhe se “të dhënat e vetë CDC-së sugjerojnë që ndoshta deri në 40 për qind të rasteve me COVID-19 u atribuohen transmetimeve asimptomatike”.

Drejtori i CDC-së, Robert Redfield iu përgjigj kritikave lidhur me udhëzimet e rishikuara duke thënë se “testimi mund të konsiderohet për të gjitha kontaktet e afërta të pacientëve të konfirmuar ose të mundshëm”.

Vaksina për COVID-19

Presidenti Donald Trump tha të enjten se Shtetet e Bashkuara do të kenë një vaksinë për koronavirusin “para fundit të vitit ose edhe më herët”.

Zoti Trump e bëri këtë deklaratë gjatë fjalimit të pranimit të emërimit presidencial nga Partia Republikane në kuvendin e partisë.

Ekspertët thonë se vaksinat ndonjëherë mund të duan dekada për t’u zhvilluar, testuar dhe për t’u provuar të sigurta, para se t’u bëhen pacientëve. Megjithatë, ka pasur shumë shpresa se një përpjekje e bashkërenduar ndërkombëtare mund të sjellë si rezultat një vaksinë efektive, vitin e ardhshëm.

“Muajt e fundit, vendi ynë dhe i gjithë planeti është goditur nga një armik i ri, i fuqishëm dhe i padukshëm”, tha Presidenti në Kopshtin Jugor të Shtëpisë së Bardhë para anëtarëve të një audience që ishin kryesisht pa maska dhe që nuk kishin mes tyre distancën e kërkuar prej dy metrash, për të frenuar përhapjen e virusit.

Presidenti është parë shumë rrallë me maskë në publik.

Në Shtetet e Bashkuara ka të paktën 5.8 milionë raste me COVID-19, shifra më e lartë e çdo vendi, dhe afro një e pesta e mbi 24 milionë rasteve në gjithë botën, sipas Universitetit Johns Hopkins. Brazili pason Shtetet e Bashkuara me 3.7 milionë raste, ndërsa India vjen e treta me 3.3 milionë./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: