Nga ERIOLA JATA*

Pak minuta zgjati mbledhja e Komisionit të Ekonomisë dhe shkak për këtë nuk u bë mungesa e opozitës, por e dy përfaqësuesve të qeverisë, ministrit Edmond Haxhinasto dhe zv.ministrit të Integrimit Gentian Elezi.

Parashikohej që komisioni të diskutonte për ratifikimin e dy marrëveshjeve, asaj që ka të bëjë me strategjinë e taksimit rrugor dhe të Stabilizim -Asocimit me Komunitetin Evropian dhe shtete anëtare në kuadër të anëtarësimit të Republikës së Kroacisë në Bashkimin Evropian.

Kryetari i Komisionit Erjon Braçe iu bëri thirrje përfaqësuesve të qeverisë të mbajnë të gjithë përgjegjësitë për dështimin e kësaj mbledhjeje.

“Për çështjen e parë, një çështje e rëndësishme, ka qënë i ftuar në Komision, ministri i Transportit Edmond Haxhinasto, -tha ai. – Ministri ndodhet në një aktivitet jashte vendit. Kjo pikë e rendit të ditës nuk zhvillohet; për pikën e dytë të rendit të ditës ka qënë i ftuar Zv.min i Integrimit. As Ministria e Integrimit nuk ka përfaqësuesin e saj në nivel më të lartë. Përfaqësuesit zyrtarë të qeverisë marrin të gjithë përgjegjësitë për dështimin e mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave e ky është rasti i fundit, ashtu si dhe vonesa. Transmetojani ministrave respektivë këtë të sotmen,” porosi Braçe.

Ndërkohë, deputetët e opozitës nuk arritën të bojkotojnë në mënyrë demostrative, por me mbylljen e punimeve iu bashkuan protestës që po zhvillohej jashtë mjediseve të kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, me kërkesë kryesore largimin e kryetarit të Kuvendit, Ilir Metës.

(ar.sh/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb