SHBA-“Ballkani Perëndimor është një burim thelbësor i luftëtarëve të huaj që luftojnë në Siri dhe Irak, veçanërisht kur merret parasysh proporcioni për kokë banori në raport me popullatën”, ka thënë zëvendësndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Hoyt Brian Yee. Këto komente zyrtari amerikan i ka bërë gjatë një dëgjimi të mbajtur më 29 prill në Komitetin e Kongresit të Shteteve të Bashkuara për Marrëdhënie me Jashtë, mbi Ballkanin Perëndimor.

“Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, janë posaçërisht vende të shquara burimi. Individë të caktuar janë duke u radikalizuar dhe motivuar për të luftuar në Siri dhe Irak nga një numër faktorësh”. “Stagnimi ekonomik dhe mungesa e opsioneve të punësimit janë faktorë. Gjithë kësaj i shtohet pastaj edhe skepticizmi që qytetarët kanë në raport me qeveritë e tyre”, ka thënë në dëshminë e tij Hoyt Brian Yee. Ai ka rikujtuar se “vendet e Ballkanit Perëndimor janë duke e marrë shumë seriozisht këtë kërcënim – Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia kanë miratuar tashmë ligjin që sanksionon luftëtarët e huaj dhe ata që i mbështesin këta luftëtarë”.

Diplomati amerikan ka thënë gjithashtu se Shtetet e Bashkuara “janë duke ofruar ndihmë thelbësore përmes këshillimeve teknike, trajnimeve në ndërtimin e kapaciteteve për rastet që ndërlidhen me terrorizmin dhe forcimin e bazës ligjore”. “Madje, Shtetet e Bashkuara kanë emëruar së fundmi një prokuror amerikan në ambasadën amerikane në Tiranë, në cilësinë e një Këshilltari Ligjor Kundër-terrorizmi, me përgjegjësi rajonale”, ka thënë zoti Hoyt Brian Yee, në seancën dëgjimore, të kryesuar nga kongresisti amerikan, Dana Rohrabacher. Gjatë kësaj seance është folur për secilin vend të Ballkanit Perëndimor veç e veç, duke përmendur këtu sfidat dhe përparimet që këto vende kanë përmbushur. Në rastin e Kosovës është përmendur edhe çështja e themelimit të Gjykatës së Posaçme për Krime Lufte, duke e cilësuar si të rëndësishme këtë Gjykatë jo vetëm për viktimat, por edhe për të ardhmen e Kosovës në tërësi.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: