Sekretari i Shtetit në Ministrinë Gjermane të Drejtësisë, Christian Lange kërkon që politika shqiptare të gjejë konsensus dhe vetëm konsesus për reformën në drejtësi! Shqetësimi dhe porosia e Christian Lange për politikën shqiptare në lidhje me reformën jepet gjatë një interviste për Deutsche Welle ku ndër të tjera i kërkon politikanëve shqiptarë të mos jenë dritëshkurtër!

Deutsche Welle: Z. Lange, reforma e drejtësisë është tema e ditës në Shqipëri – të gjithë janë në pritje të saj sikur të kemi në dorë formulën magjike për zgjidhjen e krizës së drejtësisë në Shqipëri. E ka kjo reformë vërtet potencialin për të shënuar një epokë të re të drejtësisë në Shqipëri?

Christian Lange: Fillimisht më lejoni të them se Gjermania me EURALIUS Projekt në Shqipëri, i cili krijon kushtet për implementimin e reformës së drejtësisë, kontribuon në forcimin e pavarësisë, të transparencës dhe eficiencës së sistemit të drejtësisë, ne kemi ofruar edhe një gjykatës nga një Gjykatë e Lartë landi, i cili e ndjek këtë proces prej tre vitesh në Shqipëri dhe këshillon parlamentin për reformën në drejtësi. Një element kyҫ i sistemit të drejtësisë është reforma, me ndryshimet kushtetuese, dhe që është bërë shkas për grindjet mes partive politike. Që reforma në drejtësi është element kyҫ shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, këtë e ka theksuar pa ekuivoke edhe Komisioni Europian, kjo si një nga kushtet bazë për të ecur me fillimin e procesit të negociatave.
Ka pasur ligje të mira edhe më parë në Shqipëri, madje të konsultuara me ndihmën e BE-së. Por rezultati sot është një drejtësi e korruptuar, kjo pranohet, politikanë të korruptuar që gëzojnë gati paprekshmëri, procese gjyqësore të papërfunduara e të zvarritura. Pse do të jetë kjo reformë pika e kthesës?
Shpresa nuk duhet humbur. Kush do të bëhet pjesë e Bashkimit Europian duhet të plotësojë edhe kriteret përkatëse. Për të gjithë është e qartë që një nga prioritetet e reformës është depolitizimi i drejtësisë. Por për tëaarritur këtë, kusht kryesor është konsesusi i politikës, dhe grindja e mazhorancës me opozitën për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, nëse duhet një shumicë prej 3/5 apo 2/3 e votave tregon se ende nuk ka depërtuar tek partitë politike një mendim themeltar që për të reformuar drejtësinë e kushtetutës duhet të ekzistojë konsesusi, e pikërisht këtë e kërkon qartësisht BE.
Në këtë pikë opozita, që duket se nuk ka besim tek qeveria Rama këmbëngul, madje ajo e akuzon atë se po kërkon të verë nën kontroll sistemin e drejtësisë. Si i shikoni shqetësimet e opozitës për Këshillin e Lartë të Drejtësisë?
Përvoja e bën një demokrat të dijë se është herë në pushtet dhe herë në opozitë prandaj të dyja palët kanë interes të gjejnë kompromisin dhe ky duhet të jetë qëndrim bazë, këtë çështje do ta prek edhe në vizitën e afërt të Ministrit të Drejtësisë në Berlin. Në të vërtetë është politikë dritëshkurtër të llogarisësh me suksesin afatshkurtër të mazhorancës që ke në dorë aktualisht, sepse një reformë e drejtësisë apo ndryshime në kushtetutë nuk bëhen vetëm për nesër, por për një kuadër ligjor të rezistueshëm në kohë. Prandaj këto ndryshime nuk duhet të jenë të varura nga mazhorancat politike të momentit.

Ju folët për depolitizimin, por sëmundja e vjetër e drejtësisë në Shqipëri është kapja nga politika, – cilat mekanizma do ta ndihmonin drejtësinë të kishte pavarësinë dhe si i ka dalë Gjermania të mbajë larg influencën e politikës nga drejtësia?

Për Shqipërinë kjo reformë do të thotë njëherë një moment kthese kulturore, po të kujtojmë në të kaluarën korrupsionin dhe patronazhin ekonomik. Por ky moment kthese në kulturën e drejtësisë duhet të fillojë një ditë, e më e mira do të ishte me reformën në drejtësi e ndryshimet kushtetuese. Kjo risjell në tavolinë edhe njëherë atë që kam përmendur disa herë, konsesusin politik, të cilin duhet ta kenë parim të gjitha partitë, pavarësisht kush është për momentin në pushtet apo në opozitë. Sepse ne këtë e kemi në Gjermani, prej vitesh e dhjetëvjeҫarësh.

Në Shqipëri ka debat për Byronë Kombëtare të Hetimit, konkretisht për varësinë institucionale të tij. Variantet janë nga më të ndryshmet: Flitet për policinë, njësinë antikorrupsion deri tek varësia nga prokuroria. Si do mund të garantohej më mirë pavarësia e kësaj byroje?

Nuk mund të ndërhyj në hollësitë e debatit në Shqipëri, por më lejoni të përmend se ne në Gjermani kemi shembullin e krijimit të një autoriteti të pavarur, që veproi përtej gjyqësisë e prokurorisë ishte jashtë ministrive, e kam fjalën për autoritetin e hapjes së dosjeve të RDGJ-së, që ne e njohim si autoriteti „Gauck“ – (mban emrin e drejtuesit të parë të këtij autoriteti, Joachim Gauck, sot president i Gjermanisë, shën.red) ky institucion e kreu në mënyrë të shkëlqyer misionin që iu dha. Shembuj të tillë ka edhe në vende të tjera. Tunizia për shembull që po ashtu duhet të përballet me të shkuarën e ka krijuar një autoritet të pavarur nga sistemi i drejtësisë, administrata apo ministritë.

Në Shqipëri Byroja e Hetimit do të merret me tema tejet delikate si korrupsioni, edhe ai në nivele të larta…

Sidoqoftë këta shembuj tregojnë se e nevojshme njëherë është një herë krijimi i një autoriteti vërtet të pavarur.

Në kuadër të reformës në drejtësi do të krijohen institucione të reja “Njësia Antikorrupsion”, “Byroja Kombëtare e Hetimit etj, mendoni se një vend kaq i vogël sa Shqipëria rrit efikasitetin me shtimin e institucioneve apo shton më shumë burokracinë?

Nuk dua të hyj në detaj, por po të shikoni vetëm draftin e ndryshimeve kushtetuese, pra se çfarë ligjesh e shoqërojnë këtë ndryshim në lidhje me institucionet ligjore, në lidhje me ligjet e kodit penal, të drejtën e personelit, në çështjen e provimeve të shtetit deri tek kostot e proceseve, e shikoni se janë vetëm 40 ligje që dalin nga reforma kushtetuese, pra se bëhet fjalë për një transformim të madh, ligje të reja që në raste të caktuara tërheqin pas vetes institucione të reja. Ky është edhe kuadri për të bërë vërtet një startim të ri që Shqipëria ia ka vënë vetes detyrë ta bëjë.

Reformën do ta bëjnë realitet në fund të fundit gjykatësit, prokurorët, njerëzit e drejtësisë. Ka pakënaqësi, siç kuptohet në një deklaratë të Unionit të Prokurorëve se reforma përqëndrohet më shumë tek kontrolli se tek statusi i njerëzve të drejtësisë, pagesa apo pavarësia e tyre. Ndjehen të pamotivuar tani njerëzit e drejtësisë në këto kushte?

Nuk mund të them ndonjë recetë nga Berlini se si të motivohen prokurorët shqiptarë, por dua të them se drejtësia në tërësi qofshin gjykatat apo prokuroritë duhet të jenë të pajisura në mënyrë të tillë që të mos bien pre e veprimeve korruptive. Kjo nuk prek vetëm rrogat e tyre, por edhe të gjithë kushtet e punës së tyre, që duhet të jenë dinjitoze e të përkrahura dhe këtu mbyllet sërish qarku – kjo të sjell tek kushti i konsesusit politik i të gjitha forcave politike. Këtë konsesus unë po e vë në qendër të kësaj bisede, sepse ai është pika kyçe në çdo demokracie, dhe ky krijon terrenin që drejtësia të funksionojë si duhet.

Kur reforma të jetë gati e të ketë kaluar në parlament a do të japë Gjermania dritën jeshile për fillimin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE -drejtësia ka qenë kusht i rëndësishëm…
Duhet parë edhe implementimi i reformës në drejtësi dhe kushtetuese, fillimisht në parlament, dhe dua të them se ne e presim këtë në frymën e konsesusit, tjetra është zbatimi i saj. Ligji në letër është njëra anë, tjetra është realiteti dhe BE e Gjermania tregojnë vëmendje për këtë.

Cilat do të ishin shenjat se realiteti i ri ka ardhur…
Shenja të realitetit të ri do të ishin zgjedhja e gjykatësve e prokurorëve të duhur, të cilët në bazë të disa rasteve interesante do të vërtetonin pavarësinë e tyre. Ky do të ishte një impuls për Komisionin Europian për të vlerësuar pozitivisht faktin se procesi i implementimit të ligjshmërisë në Shqipëri ka ecur përpara.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: