Gazetari Almer Toska, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me marrjen të pandehur të zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga SPAK, si edhe vizitën në Shqipëri të zyrtarit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Mark Fleming.

Sipas Toskës, vizita e Fleming, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, nuk ka qenë thjesht simbolike, por ka pasur një mesazh të qartë në mbështetje të drejtësisë shqiptare dhe konkretisht të prokurorëve që hetojnë çështje sensitive si ajo e Ballukut.

“Mark Fleming nuk e ka takuar kreun e SPAK, Altin Dumani, siç u raportua fillimisht. Ai ka takuar prokurorin e çështjes Balluku, Dritan Prençi, dhe pasuesin e Dumanit, Klodian Brahon. Takimi ka zgjatur rreth 15 minuta, vetëm mes tyre, pa praninë e të tjerëve,” deklaroi Toska.

Gazetari bëri të ditur se gjatë këtij takimi, Fleming ka shprehur mbështetje të plotë për punën e prokurorit Prençi dhe e ka inkurajuar të vazhdojë hetimet pa frikë nga presionet politike. “Në bisedën me Prençin, Fleming e ka pyetur për kërcënime që mund të ketë marrë dhe e ka siguruar se ka mbështetjen e plotë të SHBA-ve për të vijuar detyrën e tij,” tha Toska.

Ky zhvillim, sipas gazetarit, tregon interesin e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara për proceset që po zhvillohen në Shqipëri dhe për integritetin e hetimeve që prekin figura të larta të qeverisë. “Ky është një sinjal i fortë se SHBA po ndjek nga afër çështjet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe kërkon që asnjë ndërhyrje politike të mos ndikojë te drejtësia,” theksoi Toska.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb