Erand Ibrahimi, Shefi i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Projekteve në FSHF, ka konfirmuar sot se institucioni i futbollit do të thyejë urdhrin e Gjykatës së Tiranës për të pezulluar Asamblenë Zgjedhore të 2 marsit. Në studion e “Sport News Plus” në “News 24”, ai deklaroi se vazhdonte përgatitja e zgjedhjeve sipas planit.

‘Departamenti ligjor ka ndjekur gjithë procedurat, edhe gjyqtari që ka dhënë vendimin është kallëzuar penalisht. Por nuk është ky thelbi i diskutimit dhe as i Asamblesë. Institucione si FIFA dhe UEFA kanë më shumë se dy dekada që organizojnë të gjithë futbollin botëror, janë ato që mbajnë në këmbë futbollin, operojnë me statute. Statuti i FIFA-s është çatia ligjore që shkon pastaj me radhë në UEFA dhe FSHF. Statuti është zbatuar në bashkëpunim me UEFA dhe FIFA dhe janë aprovuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, është regjistruar në gjykatë. Statuti e përcakton, që të gjithë anëtarët zgjidhen në të gjithë institucionet e brendshme e më pas në KAS.

Kjo nuk është përzgjedhje e jonë, as manovër për të mënjanuar vendimet gjyqësore lokale. Ai e përcakton që asnjë nuk zgjidhet në gjykatat lokale. Statuti është miratuar nga ministri i linjës, është certifikuar përputhshmëria me ligjin. Ideja është që edhe FIFA dhe UEFA e kanë diktuar që të gjitha këto mosmarrëveshje të zgjidhen në KAS se sporti ka specifika të ndryshme dhe unifikohet praktika në të gjithë botën. Në një formë, sporti nuk lidhet në mëshirën e vendimeve politike, është KAS ai që e merr vendimin nëse një konflikt zgjidhet në këtë apo në atë mënyrë. Nga statuti kemi për detyrë të ndjekim parashikimet stututore. Ne kemi marrë vendimin, Ekzekutivi e ka marr vendimin për shpallje të datës 2 mars, më pas u mor edhe vendimi për miratimin e axhendës që do i shpërndahej anëtarëve. Nga kjo pikëpamje do të vijojmë procedurën se statuti e përcakton qartë e nuk fshihemi pas një vendimi se nuk ka relevancë.

Padyshim që do të mbahen, se duhet t’i përmbahemi statutit. Se ato vendime nuk janë relevante. Është si të kërkojmë në gjykatë të ndryshojë rregullat e lojës, të luhet pa penallti. Janë dy organizma të ndryshme. Kur bëjmë nëj marrëveshje shit-blerje, ti shkruan që mosmarrëveshja mes palëve zgjidhet në gjykatën e Tiranës. Tani ti shkon dhe e çon në Gjykatën e Stambollit”, tha Ibrahimi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb