Austria është cilësuar vendi më mikpritës në botë.
Me pejsazhet e saj natyrore, pastërtinë e qyteteve dhe organizimin modern është vlerësuar nga World Economic Forum, vendi më mikpritës në botën. Në podiumin e fituesve janë ngjitur edhe Spanja dhe SHBA.

Ky është rezultati i një studimi ku janë përfshirë 136 kombe në të gjithë botën, duke bërë klasifikimin në bazë të 14 parametrave, mes tyre bukuria e vendit, siguria për të huajt, cilësia e shërbimit dhe tregu i punës.

Ndër vendet e para pas Austrisë renditen Shtetet e Bashkuara të Amerikës që favorizohen për metropolet e mëdha që kanë, shërbimin si dhe pejsazhet e mrekullueshme në brigjet e Paqësorit dhe plazhet fantastike.

Më pas vjen Spanja e cila prej vitesh investon shumë në turizëm, duke ndryshuar ofertat dhe shërbimet. Në vend të katërt është Portugalia, e cila shquhet për turizmin luksoz dhe udhëtimet low cost për shumë të rinj që çdo vit vizitojnë qytetet portugeze.

Lista vazhdon me Kroacinë. Zvicra dhe Britania e Madhe janë në këtë klasifikim respektivisht në vend të gjashtë dhe të shtatë. Zvicra është piketuar prej kohësh tek konkurrenca e turizmit dhe bukuritë e saj natyrore, ndërsa për ata që zgjedhin Londrën, duhet të kenë parasysh standartin e lartë dhe çmimet e shtrenjta.

Duke fluturuar përtej oqeanit gjejmë Australinë në vendin e tetë, që magjeps me peisazhet e saj mahnitëse dhe të rralla në botë si dhe shërbimet avangarde.

Duke u kthyer në Europë Gjermania është në vend të nëntë falë çmimeve ekstremisht konkurruese dhe bukurive që qytetet rezervojnë për turistët.
Në vend të dhjetë renditet Kanadaja që tërheq gjithmonë e më shumë turistë si për pejsazhet e saj të mrekullueshme të zhytura në gjelbërim ashtu dhe për infrastrukturën. Më pas renditet Italia, Luksemburgu dhe Islanda të ndjekura nga Bullgaria dhe Irlanda.
(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb