Përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Shtetit Islamik në gjuhën shqipe “Hilafeti”, bëhet thirrje për t’iu bashkuar luftës së ISIS kundër tërë botës. Në këtë njoftim, përpos fjalëve me urrejtje ndaj botës, në fotografi nuk mungon as kulla “Eifel” e Parisit, por edhe ndërtesat gjigante të Nju Jorkut. Përmes këtij shkrimi, grupi terrorist shkruan se duhet ndërmarrë operacione kundër civilëve, siç thonë ata, dhe se vetëm kështu do të mund t’iu shkaktojmë dhimbje atyre, shkruan në faqen zyrtare të ISIS. “Avionët e tyre luftarakë nuk dallojnë mes të armatosurit ose të paarmatosurit, as mes një gruaje dhe një burri. Dhe dijeni, se operacionet kundër të ashtuquajturve “civilë” janë më të dashura dhe më të dobishme për ne, pasi iu shkaktojnë atyre më shumë dhe i trembin më tepër”, shkruan “Hilafeti.wordpress.com”, faqja zyrtare e ISIS-it në gjuhën shqipe. Megjithatë, ky nuk është shkrimi i vetëm në gjuhën shqipe nga militantët e ISIS që publikohet në këtë faqe. Ditë më parë, ISIS kishte publikuar edhe një shkrim në të cilin thuhej se Shteti Islamik i shpall si jobesimtarë të gjitha grupet e xhihadite që nuk luftojnë krahë grupit militant ISIS.

Grupi militant i Shtetit Islamik ka publikuar më datë 22 mars, pak orë pas sulmeve terroriste të Brukselit, një komunikatë për shtyp në gjuhën shqipe, në faqen e quajtur “Shteti Islam”. “Komunikatë për sulmin e bekuar kundër Belgjikës kryqtare”, kështu i kanë cilësuar ata sulmet në Bruksel, duke i quajtur të bekuara. Në komunikatën për shtyp, “Shteti Islam” teksa krenohet me sulmet kundër Belgjikës, paralajmëron ditë të zeza ndaj atyre që luftojnë kundër islamit dhe Shtetit Islamik.

“Me mirësinë e Allahut, një brigadë e sigurisë së ushtarëve të Hilafetit, Allahu i nderoftë dhe iu dhashtë fitoren, dolën dhe targetuan Belgjikën kryqtare, e cila nuk pushoi së luftuari Islamin dhe myslimanët. Allahu ndihmoi vëllezërit tanë dhe hodhi frikë e trembje në zemrat e kryqtarëve në mes të vendit të tyre. Disa nga ushtaret e hilafetit dolën duke mbajtur rripa me eksploziv në mesin e jobesimtarëve”. Por ISIS nuk ndalet dhe paralajmëron të tjera sulme terroriste. “Ne i premtojmë çdo kombi kryqtar, aleat të luftës kundër shtetit islamik ditë të zeza, si përgjigje ndaj agresionit të tyre dhe ajo që do t’ju arrijë do të jetë më shkatërruese dhe e hidhur me lejen e Allahut”, shkruhej në mesazhin e para dy muajsh. Faqja e Halifetit ka edhe biografi të liderit të ISIS-it dhe fjalime të tij si dhe aktivitete të organizatës terroriste në Siri.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb