NGA SOKOL HAZIZAJ*

Në çdo moment historik në të cilin është endur vendi ynë, është e sigurt që ka pasur një lajtmotiv, ndonëse lidershipi politik është frymëzuar nga ide dhe përmbajtje të provuara më parë, ndërsa përvojat tona janë shfaqur në ekstremitetet e tyre. Përpos këtij realiteti, në mënyrë të përhershme është vendosur ligji përballë njeriut, ose e kundërta, njeriu ka demonstruar mungesë bindjeje të frymëzuar nga liria, shkak për të cilin është persekutuar dhe burgosur duke u trajtuar në format më çnjerëzore.

Shfaqja më e hapur në rrugën e arbitraritetit ishte shteti diktatorial i para viteve ‘90, i cili vendosi ekuilibra jonormalë midis njeriut, lirisë dhe ligjit, duke izoluar secilin në hapësirën e vet.
Pas viteve ‘90, në rrugën e demokracisë dhe vendosjes së ligjit me të njëjtën natyrë, dyshimi njerëzor ka qenë i pranishëm nga njëra anë për shkak të rrethanave, që në pak vite kanë shkaktuar trauma sociale dhe politike, ose për shkak të kuptimit të gabuar mbi reformat apo moskuptimi i tyre. Përsëritja e ngjarjeve tronditëse sipas viteve, sot nuk ia vlen për shkakun se nga njëra anë nuk edukojnë ndonjë gjë, ose shumë prej tyre për shkak të rëndësisë së madhe, përsëritja e shpeshtë e zbeh rëndësinë e tyre.

Duhet pranuar se në fushën e ligjit, merak i madh ky për mua, janë trajtuar përmirësime të mëdha, saqë parametrat ligjorë mbi të cilat është konturuar jeta sociale, ekonomike dhe gjithëformëshe ka ndryshuar aq shumë, sa i ka lënë në harresë ndodhitë e së kaluarës. Ndryshimet e mënyrës së qeverisjes, formave institucionale të saj, mënyrës së organizimit të tyre, pse jo dhe rritja e lirisë së shqiptarëve në vite ka bërë të mundur përvetimin e ligjit prej këtyre të fundit, në mënyrë sporadike dhe të rastësishme.

Sot nuk ka vlerë dhe nuk ka kuptim të qenurit i friguar, servil, apo fajtor dhe fajësues, kur hapësirat e lirisë janë të mëdha dhe të padiskutueshme. Kuadri ligjor është garancia e plotë dhe e padyshim, e rrugës drejtë së ardhmes.

Sot nuk ka arsye të shtiresh si liberal politik, jo vetëm, por nuk ka arsye të deklarosh se liria është sjellë nga një syresh apo tjetri, sepse ajo erdhi normalisht për shkak të kohës dhe dështimeve të njëpasnjëshme të sistemit të kaluar. Çdo deklarim i kundërt është dështim, pse jo rikthim në të kaluarën politike dhe ligjore gjithashtu.

Në këtë vështrim dhe reforma në drejtësi nuk është çështje e prioriteteve vetëm e një maxhorance, të sotmes apo e së kaluarës dhe si e tillë çdo deklarim ndryshe nuk është i vërtetë.
Me kalimin e kohës, sikurse hapësirat e lirisë vijnë duke u zgjeruar në favor të njeriut, edhe standardi ligjor i kuptimit të tyre ndryshon, duke u përsosur në krah të tij. E vetmja pengesë, e cila frenon apo pengon këtë hapësirë është dhe konsiderohet në këto ditë korrupsioni, si e vetmja plagë që ka për pasojë shkeljen e së drejtës ligjore dhe më tej të çdo individi. Është identifikuar qartë se përdorimi i forcës së kartonit, ose i maxhorancave ndonjëherë të pakuptimta nga grupime politike të sajuara, jo të natyrshme ose jashtë përmbajtjes kohës, pavarësisht nga përmasat e tyre, është e vetmja shërbesë e lindjes së veprimeve korruptive.

Shembull më se i qartë e arbitraritetit të krijimit të maxhorancave të pakuptimta janë ndryshimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në vitin 2008, të cilat konsiderohen si trauma më e madhe dhe më dëmprurëse jo vetëm e legjitimimit të votës, por edhe e sistemit ligjor dhe raporteve institucionale në përgjithësi.

Duke qenë i hapur në këtë dëshmi, ndryshimet e Kodit Zgjedhor të mëpasshme, duke iu shtuar nëntë herë “përmirësimit” të tij, e thelluan mungesën e përfaqësimit. Dramës ligjore elektorale iu shtuan edhe ndërhyrjet e Gjykatës Kushtetuese, duke bërë të mundur që peshorja të anojë te të drejtat e të zgjedhurve, në raport me zgjedhësit. Sot është e kuptueshme që përpos ndryshimeve të elaboruara si rritje e demokracisë, ndodh e kundërta, zvogëlohet fryma qytetare e pjesëmarrjes, duke rritur në maksimum lirinë e të “zgjedhurve” jo vetëm në vendimmarrje, por dhe në dëshirën për të pushtuar ekonominë dhe të gjitha shërbimet ndaj qytetarit, duke e izoluar në pafundësi atë. Shfaqja më e hapur e kësaj të fundit është padyshim “koncesioni” i fshehur nga ligji. Ndaj nuk është i rastësishëm ndryshimi balancës historike midis rritjes së krimit në përfaqësim me krimin ordiner.

Krijimi i një politike frikësuese, e bazuar në ekuacione “logjike”, që e kanë trajtuar dhe trajtojnë njeriun si viktimë apo pre të ligjit të deformuar nuk shkon më. Krijimi i një tabloje ku qytetarët si pjesa më e madhe e shoqërisë duhet të trajtohen si viktima nga mungesa e njohjes së ligjit, apo si të vetmit numra që duhet të paguajnë shpagimin nga drejtësia dhe politika gjithashtu, nuk mund të vazhdojë më tepër.

Në këtë kuptim, reforma në drejtësi merr trajtën e një forme të mundimshme, jo për shkak të pamundësisë për të artikuluar ku janë dobësitë, por për shkakun e thjeshtë se aktorët kryesorë të saj nuk janë marrë kurrë me atë, ose kanë qenë dhe janë në të kundërtën e drejtësisë. Nuk është e rastësishme, e thënë dhe e rithënë disa herë, se drafti i parë i reformës kishte brenda vetes jo përmirësimin e së drejtës materiale dhe procedurale, por vuante nga nënteksti “bëji vend vetes” në institucionet që do të krijohen, duke shtrembëruar vetë konceptin e reformës në drejtësi.

Është e vërtetë që për shkak të faktit të krijuar apo fatit që na ka zënë, mund që brenda natës tua hedhësh të ndëshkuarve nga fati, qytetarëve të tu, por kur përmasa i kalon fatzinjtë, radha të vjen domosdoshmërish ty. Ndaj, kufiri europian në të cilin kërkon të kalosh, nuk mund ta lejojë këtë frymë. Në vëmendjen e Komisionit të Venecias nuk mund të kalonte pa konstatuar që portreti i shumë institucioneve ishte jokoherent dhe i padizenjuar mirë, duke krijuar disa piramida, të cilat në tërësinë e tyre nuk diheshin ku fillonin, ku mbaronin dhe ku ndërthureshin. Komisionit të Venecias, për shkak të asistencës së vazhdueshme në përafrimin ligjor në vendin tonë, nuk mund t’i shpëtonte konstatimi i një dëshire të shfrenuar e të qenit protagonist të ndryshimeve të mëdha dhe drastike të organeve të drejtësisë, pa marrë parasysh traditën europiane të krijuar deri tani, apo modelin e duhur dhe të suksesshëm.

Nuk është e rastësishme që ky komision në konstatimet e tij për shkak të dialogut të ekspertëve e kufizoi duke dalë hapur në problemin themelor të korrupsionit, shkak për të cilën vuan dhënia dhe marrja e të drejtës dhe drejtësisë në vendin tonë. Ndaj vlerësojnë duke identifikuar qartazi se hetimi nga byroja është dhe duhet të jetë proces i larguar nga politika dhe aset i organit procedural të prokurorisë. Në vështrim të përgjithshëm duket qartë që përpjekja teknike e tyre është shkurtimi i kohës së duhur në ngritjen e organeve të reja, pse jo të mbështetura në traditën tonë të hetimit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit.

Është fare e qartë që struktura e policisë gjyqësore nuk është funksionale sot, ndaj vlerësojnë byronë e hetimit, për ta përgjithësuar dhe dhënë vendin e duhur këtij organi në hapësirat e procedurës penale në të ardhmen. Ndarja jo e rastësishme që i kanë dhënë vendimmarrjes politike dhe mënyrës së marrjes së saj nga rekomandimi adekuat mbi koherencën midis organeve, është shprehja më e qartë e konstatimit prej tyre të përpjekjes së politikës për të nënvendosur organet e drejtësisë. Kufizimi i rekomandimeve të tyre, duke saktësuar, kufizuar dhe reduktuar hapur formatimin e organeve të reja në drejtësi, nuk është gjë tjetër veçse identifikim i problemit nga i cili vuan ky vend, korrupsioni ose ndryshe burokracia e tepërt korruptive, fakt i cili duhet izoluar.

Krijimi i atmosferës gjithëplanëshe të ndërkombëtarëve, përfshirë kontributin e vrapuesit maratonomak të ambasadorit amerikan nuk është gjë tjetër veçse tregues i hapur i betejës për të mos qenë i vetëm në këtë atmosferë euroatlantike. Mesazhi i kufizimit nga SHBA i lirisë së individëve me mentalitet korruptiv, nuk është gjë tjetër përveçse përpjekje e mundimshme për të mos u vetizoluar o njeri.
03.03.2016

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb