TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me presidenten e Kroacisë, Kolinda-Grabar Kitaroviç. Gjatë fjalës së tij lideri i PD-së shprehu angazhimin e tij për të vijuar bashkëpunimin e suksesshëm me Kroacinë.

Kreu i PD-së i ka cilësuar të rrezikshme për paqen dhe stabilitetin idetë për shkëmbime territoresh të cilat sipas tij çojnë drejt hapjes së kutisë së Pandorës.

Po ashtu Basha theksoi domosdoshmërinë e ngritjes së marrëdhënieve shqiptaro-kroate në nivele strategjike për rajonin. “Nuk duhet të mjaftohemi vetëm me konstatimin e mungesës së problematikave por duhet të investohemi në thellimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve në rrafshin politik dhe ekonomik. Dy vendet tona duhet të jenë promotore dhe mbështetëse të fuqishme të avancimit të vendeve të rajonit drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, rritjes së bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik mes vendeve të Ballkanit Perendimor”- tha Basha.

Mes të tjerash lideri i opozitës e cilësoi një zhvillim shumë pozitiv marrjen e ftesës për anëtarësim nga Maqedonia dhe shprehu mbështetjen për përfundimin me sukses të marrëveshjes për çështjen e emrit dhe anëtarësimin e saj të plotë në një kohë sa më të shkurtër të mundshme në NATO si kontribut i rëndësishëm për paqe dhe stabilitet në rajon.


(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb