Parku Arkeologjik i Apollonisë po i nënshtrohet një projekti që kap shifrën e 620 mijë eurove. Sipas Ministrisë së Kulturës, projekti është pjesë e listës së projekteve të kombinuara që vijojnë procesin e Lubjanës-Financimi i Rehabilitimit të Trashëgimisë në Evropën Juglindore, nismë e përbashkët e Këshillit të Europës dhe Komisionit Evropian dhe për të mbështetur restaurimin e trashëgimisë historike, si një gjenerator i kapitalit social dhe ekonomik, i cili sjell përfitime të prekshme për popullsinë lokale, duke inkurajuar turizmin kulturor.

Ai është financuar në kuadër të Programit Rajonal CARDS. Punimet do të kryen në monumentet brenda hapësirës së manastirit, duke përfshirë portikun e statujave, trapezarinë, kishën, depon arkeologjike, muzeun dhe ambientin përreth zonës së parkut. Sot, në ora 16:00 në Parkun e Apollonisë, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe Ambasadorja e Delegacionit Evropian Romana Vlahutin do të inspektojnë vazhdimin e punimeve për rehabilitimin dhe restaurimin e Parkut të Apollonisë dhe Manastirit të Shën Marisë, si pjesë e saj.

Punimet
Pjesë të rëndësishme të ndërhyrjeve do të jenë ndërtimi i stacionit të ri të pompave, kabina elektrike dhe ambienti i ri i parkimit. Duhet të theksohet se për shkak të gjetjeve arkeologjike, punimet për ndërtimin e objekteve të reja janë shtyre në kohë dhe kanë pësuar zhvendosje nga projekti fillestar. Ministria ka bashkëpunuar maksimalisht dhe të gjitha modifikimet e propozuara janë aprovuar nga Këshilli Kombëtar për Restaurimin dhe Arkeologjinë. Punimet filluan në janar të vitit 2016 dhe do të përfundojnë në janar të vitit 2017 (plus 12 muajve të periudhës së garancisë së punimeve). Vlera totale e punimeve është 619.000 mijë euro.

Projekti është përgatitur me fondet e BE në kuadër të programit IPA 2012. Hartuesi fillimisht ka përgatitur një masterplan për Parkun Arkeologjik të Apollonisë, ku porta jugore do të shërbente si hyrja e re. Qëllimi i hyrjes së re ishte që të lidhej parku me Bypass-in e Fierit, i cili është në ndërtim e sipër dhe pritet të finalizohet nga mesi i vitit 2017. Dizajni është përgatitur me fondet e BE-së, në kuadër të programit IPA 2012. Vlera e kontratës është 120 mijë euro. Autoriteti Rrugor Shqiptar është i angazhuar në financimin e punimeve për ndërtimin e rrugës, në vijim të kontratës për ndërtimin e Bypass-it të Fierit. Si pjesë e bashkëfinancimit, Ministria e Kulturës është e angazhuar për të kryer punimet që lidhen me peizazhin, në vlerën prej 63 mijë euro.

Ndërhyrja
Ndërhyrja në Apolloni përfshin restaurimin dhe rehabilitimin e manastirit “Fjetja e Shën Marisë”, restaurimin e kishës së manastirit të Shën Mërisë, restaurimin e depos arkeologjike si dhe bërjen të vizitueshme të trapezarisë aktuale arkeologjike ku ka ende disa rrënojat arkeologjike. Njëherësh do të punohet me rikonstruksionin e portikut të statujave, instalimin e sistemit të ftohtë dhe ajrit të kondicionuar në zonat muzeale, krijimin e një hyrje të re në park në përputhje me zhvillimin e ri të infrastrukturës së zonës, një zonë të re parkimi, guidë e re e vizitorëve për parkun dhe rehabilitimin e rrugëve këmbësore, stacionin e ri të pompimit dhe kabinën e re elektrike.

Manastiri
Manastiri i Shën Mërisë qëndron në zemër të sitit arkeologjik të Apollonisë. I datuar që në shekujt 13-të e 14-të mbas Krishtit, manastiri përfaqëson periudhën mesjetare dhe është i përbërë nga kisha dhe trapezaria. Kisha e ndërtuar rreth vitit 1220, është unike në Shqipëri për shkak të konfigurimit të pazakontë të saj në formën e kryqit të brendashkruar dhe është ndërtuar duke përdorur pjesërisht materiale të marra nga teatri antik.. Narteksi i saj i jashtëm përmban një kolonë dorike nga tempulli i shtyllas-it, i cili aktualisht përdoret si mbulesë e pusit, si edhe ka fragmente të një afresku me rëndësi të madhe historike që i përket shekullit të 14-të.

Kompleksi përreth manastirit, muri mbrojtës dhe kulla e kambanares datojnë në periudha të ndryshme të historisë së manastirit nga shekulli 13-të deri në shekullin e 20-të. Dhomat e murgjve ishin të vendosura në anën veriore dhe perëndimore; në anën jugore është kulla e kambanares, rindërtuar në fillim të shekullit të 20-të; ana lindore është e mbyllur nga një mur mbrojtës dhe pjesa e mbetur e anës perëndimore përmban trapezarinë dhe tualetet. Trapezaria është në formë të gjatë trikonke dhe daton në vitet e hershme të shekullit të 14-të. Këtu ndodhen disa nga afresket mesjetare më të plotë të mbijetuar në Shqipëri. Afresket janë në gjendje të degraduar dhe shfaqin nevojë serioze për ndërhyrje. Hyrja në manastir bëhet nga një hyrje monumentale me një derë të dyfishtë prej druri, e cila, edhe kjo ndodhet në anën perëndimore. Në vitin 2011 u rihap muzeu i rinovuar i Parkut Arkeologjik të Apollonisë.

Gjendja aktuale e punimeve
Punimet e ekzekutuara deri më tani kryesisht janë përqendruar në ndërtimin e stacionit të pompimit dhe kabinës elektrike. Kontraktori kohët e fundit ka filluar punimet restauruese në zonën e ndërtesave të kompleksit të manastirit. Rindërtimi i portikut të statujave është në fazën e fundit. Lidhur me objektin e ri të stacionit të pompimit dhe kabinës elektrike, punimet janë shtyrë disa herë për shkak të gjetjeve arkeologjike në zonat e projektuara. Stacioni i pompimit është zhvendosur dhe qëllimi është që të zëvendësohen dy stacione pompimi në vetëm një, për të minimizuar ndërhyrjet që ndikojnë impaktin e rëndësishëm të shikimit. Të gjitha modifikimet janë paraqitur dhe miratuar nga ministria, me këshillat e saj kombëtare të restaurimit dhe arkeologjisë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: