TIRANE- Dy ditë para se të votohet në Kuvend reforma në drejtësi, ambasadori amerikan Donald Lu i bashkohet protestës së shoqërisë civile dhe ashpërson gjuhën për të kërkuar miratimin e saj.

Lu, një nga negociatorët e kësaj reforme bashkë me ambasadoren e BE-së Romana Vlahutin, theksoi gjatë fjalës së sotme se ata që nuk e duan reformën janë disa politikanë dhe njerëz të fuqishëm, por nga ana tjetër siç tha ai, qendron populli shqiptar, që e do reformen.

“Dje pas takimit të shkurtër midis z. Rama, z. Meta dhe z. Basha, ekspertët tanë u takuan për 8 orë negociata deri në 2 të mëngjesit. Por nuk arritën dot një marrëveshje. Pas 18 muajsh negociata, pse nuk arrijmë kurrë një marrëveshje?” Pse? Për shkak se është e qartë se disa nga këta politikanë nuk duan marrëveshje. Dy javë më parë, dëgjova me zë të fortë nga Basha dhe Bylykbashi se nëse e zgjidhnim paragrafin 88, ata do ta votonin reformën që të nesërmen. Më 9 korrik e zgjidhëm paragrafin 88.

Në fund, Rama u dorëzua dhe u ofroi atyre saktësisht atë që Basha kishte kërkuar, një proces përzgjedhjeje të quajtur 6 plus 6. Por kjo nuk mjaftonte. Tani për herë të parë ata thonë se për shkak të sovranitetit kombëtar nuk mund të pranojmë që të huajt të bëjnë vlerësimin për kualifikimin e komisionerëve. Kjo është e çuditshme. Në 19 maj Basha na tha ne dhe ambasadores Vlahutin se të huajt ishin të vetmit persona që mund ta pastronin peshkun nga koka. U tha të njëjtën gjë edhe deputetëve të PE Kukan e Flanckerstein. Bylykbashi e përfshiu këtë në propozimin e tij zyrtar të shkruar që na dërgoi. Dhe tani papritur po ndryshojnë qëndrimin e tyre”,- tha ai.

Kreu i diplomacisë amerikane nuk nguroi të japë paralajmërimin e fundit, kur tha se do ketë pasoja negative për liderët që nuk e votojnë reformën.

“Pse njerëz të fuqishëm kanë frikë? Qytetarët po kërkojnë ndryshim. Është koha për të vendosur. Do të ketë pasoja specifike negative nga Shtetet e Bashkuara për ata udhëheqës politikë që do të votojnë kundër kësaj reforme. Unë jam duke u dorëzuar partive politike hollësitë mbi këto pasoja sipas udhëzimeve specifike nga Uashingtoni. Unë siguroj se këto pasoja do të jenë të rënda dhe afatgjata. Gjatë ditëve të fundit jam takuar me dhjetëra deputetë nga të dy partitë politike. Jam i bindur se këta persona i kanë përzemër interesat e Shqipërisë. Të gjithë e duan këtë reformë. Pyeta nëse do të kenë kurajon të votojnë për ata që e dinë që është gjëja e duhur për Shqipërinë, apo do të votojnë për shkak të frikës nga udhëheqësit e partive të tyre politike. Shqipëria u themelua më shumë se 100 vite më parë nga burra dhe gra të guximshëm, burra si Ismail Qemali rrezikuan jetën e tyre për pavarësinë e këtij vendi. Është përsëri koha tu kërkohet shqiptarëve kurajo dhe besim për të bërë atë që është e drejtë. Koha për të vendosur është tani. Miratojeni këtë reformë”,- vijoi ambasadori.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb