TIRANE– Ambasadori shqiptar në Kroaci, Ilir Melo ka thënë se po mban kontakte të vazhdueshme me autoritetet kroate për çështjen e Ismail Ballist Morinës, i ndaluar në Kroaci prej 3 muajsh pas një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia, e cila e akuzon si autorin e ngritjes së dronit në Beograd në vitin 2014 gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri.

I ftuar në emisionin ‘Studio e Hapur’ të gazetares Eni Vasili në ‘News24’, ambasadori tha se ka pasur disa takime me zyrtarë në Kroaci dhe çështja është futur në një spektër politik.

“Unë kam takuar edhe presidentin e federatës në Kroaci dhe po bëjmë maksimumin për çështjen. Nuk është azil politik, por është një kërkesë për mbrojtjen legale, pasi atij i rrezikohet jeta. Procesi i Ismail Morinës është futur në një spektër politik. Tashmë dosja është në tavolinën e ministrit të drejtësisë kroate. Gjykata i ka thënë ‘po’ ekstradimit. Tashmë faza është politike. Përpjekjet tona janë prej 3 muajsh. Unë do rezervohesha, pasi janë gjëra që nuk duhet të dalin në publik. Ka një angazhim të shtetit shqiptar, duke respektuar vendimmarrjen e palës kroate. Unë di që ka pasur biseda edhe me ministrin kroat dhe atë shqiptar. Unë besoj se nuk ka afat kohor për të marrë vendimin nga ministri i drejtësisë, por besoj se ajo do vijë në momentin e duhur”- tha ambasadori shqiptar në Kroaci, raporton ‘BalkanWeb’.

Ndër të tjera ambasadori shqiptar në Kroaci tregoi edhe takimin me drejtorin e Burgut në Kroaci deh se çfarë i ka thënë për Ballist Morinën.

“Takimi im me Ballist Morinën ishte mjaft miqësor dhe zgjati afro 2 orë e ca. Mbas takimit me Morinën unë kam takuar edhe drejtorin e Burgut, i cili më tha se Ismail Morina është bërë shembull edhe për të tjerët në burg dhe ishte shumë i kënaqur. Unë mendoj se do jetë një vendim pozitiv”- tha ambasadori.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: