* I gjenden 36 bileta të ndeshjes Shqipëri-Serbi, policia: Janë të rregullta
* Babai i Denis Ballës: Im bir takoi Ismail Morinën nga kurioziteti, s’kishte dijeni për armët

TIRANË- Efektivët e Komisariatit numër 1 në Tiranë kanë ndaluar mbrëmjen e djeshme autorin e dronit në Beograd, Ismail Morinën, i njohur ndryshe si “Ballisti”.

Bashkë me Ballistin janë arrestuar edhe 3 persona të tjerë: Erion Bahushi, 22 vjeç; Denis Balla, 21 vjeç dhe Marin Rexha, 20 vjeç (tifozat kuq e zi), të cilët aktualisht ndodhen në ambientet e Policisë së Tiranës.

Të katërt këta persona janë ndaluar dhe kontrolluar nga shërbimet e policisë në rrugën “Petro Nini Luarasi”, ose pranë zonës së njohur si ‘Tregu elektrik’ dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj Ismail Morinës, i është gjetur e fshehur në trup (xhep) një armë zjarri e tipit pistoletë “Zastava” me gjashtë fishekë. Morina ishte duke drejtuar mjetin tip “Land Rover” me targe AA 874 KY  dhe gjendej në shoqërinë e tre personave të tjerë.

Ndërkohë që gjatë kontrollit të mjetit në pjesët e brendshme të tij është gjetur edhe një arme tjetër pistolete tip TT si dhe 30 fishekë për këtë pistoletë. Gjithashtu në mjet është gjendur dhe një gëzhojë pistolete.

Menjëherë është bërë shoqërimi i të 4 personave dhe i mjetit në Komisariat dhe pas kryerjes të veprimeve të para hetimore është bërë arrestimi në flagrance i shtetasit Ismail Morinaj, për veprën penale të “Mbajtjes së armëve dhe municioneve luftarake pa leje”  dhe arrestimi i shtetasve Erion Bahushi, Denis Balla dhe Marin Rexha, për veprën penale te “Moskallëzimit të krimit”.

Policia bën të ditur se në automjetin e Morinës janë gjetur edhe 36 bileta për ndeshjen Shqipëri-Serbi dhe disa broshura pro Kombëtares Shqiptare. Fillimisht policia hodhi dyshime që biletat e gjetura në automjet për ndeshjen e së enjtes në Elbasan Arena ishin të falsifikuara por pas verifikimit, ka rezultuar se këto bileta ishin të rregullta. Materialet në ngarkim të tyre do ti dërgohen Prokurorisë se rrethit për ndjekje e hetime të mëtejshme.

DËSHMIA
Gjatë marrjes në pyetje në Komisariatin numër 1 në kryeqytet, Ismail Morina ka deklaruar se armën e mbante për vetëmbrojtje pasi i rrezikohej jeta. “E mbaj këtë pistoletë që pas ndeshjes në Beograd për vetëmbrojtje. Nuk kam asnjë qëllim tjetër”, mësohet të ketë thënë Morina. Sipas bluve automjeti “Range Rover” që drejtohej nga Morina ishte në pronësi të vëllait të tij.

HETIMET
Gazetari Spartak Koka tha se sipas verifikimeve të Sektorit kundër Krimit Ekonomik biletat rezultojnë të sakta dhe të plota. Nisur nga ky konstatim, Policia e Tiranës dhe policitë e rretheve është vënë në kërkim të 36 personave, emrat e të cilëve rezultojnë në biletat e gjetura. Për të shuar çdo dyshim do bëhet verifikimi i gjithë personave. Kjo pasi Policia ngre pyetjen se si ka mundësi që Ismail Morina është pajisur me biletë, kur ishte kërkesë e UEFA-s që ai të mos ishte i pranishëm në stadium. Madje Policia po kontakton edhe me FSHF-në.

Sipas Policisë, Morina dhe personat e tjerë dyshohet se do të krijonin trazira në ndeshjen e nesërme. Makina u ndalua pasi kishte informacion paraprak nga policia se Ismail Morina udhëtonte i armatosur. Nisur nga ky informacion Policia e Tiranës ka marrë masat dhe ka ndaluar automjetin “Range Rover” ku pas kontrollit janë gjetur edhe armët.

Arrestimi i Morinës vjen një ditë para përballjes së madhe mes Shqipërisë dhe Serbisë. Ndërsa FSHF deklaroi që Ismail Morina nuk do të ishte i pranishëm në stadium për këtë ndeshje, ishte vetë autori i dronit në Beograd që deklaroi dy ditë më parë se e kishte tashmë biletën duke treguar edhe për një dhuratë të cilën donte t’ja bënte kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç. Por pas këtij arrestimi, pjesëmarrja e Morinës në stadium duket plotësisht e pamundur.

BALLIST MORINA DO TELEVIZOR NË QELI, PËR TË PARË NDESHJEN SHQIPËRI-SERBI
Ismail Morina, i njohur si Ballist Morina, i cili u arrestua sot nga Policia në Tiranë për armëmbajtje pa leje, ka bërë një kërkesë në Policinë e Tiranës që të pajiset me një televizor.

Morina me shumë gjasa do të kalojë shumë ditë në qeli, para se të dalë në gjykatë dhe nuk do të ketë mundësi tjetër për të ndjekur ndeshjen e nesërme, ku Shqipëria do të luajë ndaj Serbisë në “Elbasan Arena”.

Në këtë mënyre, Morina ka kërkuar një televizor në qeli për të ndjekur ndeshjen. Mirëpo, ka shumë pak gjasa që kërkesa e tij të merret në konsideratë nga ana e policisë.

Ballisti u arrestua mëngjesin e sotëm nga Policia, pas një kontrolli të bërë në mjetin e tij, ku u gjetën dy armë zjarri dhe 37 bileta për ndeshjen e nesërme.

BABAI I DENIS BALLËS: DJALI NUK ISHTE NË MAKINË ME ISMAIL MORINËN, E TAKOI NË TROTUAR
Babai i Denis Ballës, një prej personave të arrestuar mbrëmjen e djeshme bashkë me Ismail Morinën, deklaroi sot për Neës24 se ai nuk ka lidhje me këtë histori por ka ndaluar për ta takuar Ballistin nga kurioziteti. Sipas Lulzim Ballës, djali nuk ka qenë në makinë me Ballistin dhe nuk ka pasur dijeni për armët që kishte me vete.

“ Djali im nuk ka asnjë lidhje me këtë histori që po fryhet pak si shumë. Kuriozitet i një të riu për të takuar e biseduar me Ballist Morinën. E ka takuar rastësisht pranë shtëpisë. Këta thonë që akuzohet për moskallëzim krimi për armën që kishte Ballist Morina. Djali nuk ka patur absolutisht dijeni për armën. Edhe Policia ishte dakord. Ata kishin ndaluar për të biseduar për sportin, për tifozerinë. Djali është student për infermieri, imazhet. Është shumë i rregullt, pa asnjë precedent. Kërkojmë vetëm drejtësinë. E kanë ngarkuar shumë me këtë akuzë. Nuk ka qenë në makinë, por në trotuar”, tha Lulzim Balla.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: