TIRANË – Analisti Artan Hoxha deklaron se me arrestimet e dy deputetëve, Prokuroria nuk e ka vazhduar hetimin për çështjen “Doshi”, por e ka devijuar hetimin duke i rënë shkurt dhe gjetur ca kleçka për të dalë në përfundimin “inskenim”. Ajo i ka shërbyer kështu politikës për të përligjur gjoja dekriminalizimin dhe nuk i ka dhënë përgjigje akuzave të ngritura, ka gjykon Hoxha në studion e “News24”
“Por pyetja është, – tha Hoxha:- Pse i njëjti organ akuze, i njëjti prokuror si Blerim Tominaj, nuk e ka thirrur Tom Doshin për 21 Janarin, për “sulmin ndaj institucioneve”, ndërkohë që po kërkon t’i vërë prangat për “kallëzim të rremë?” Pse këta prokurorë nuk guxuan të thërrasin Sali Berishën për 21 Janarin, ndërsa tani duken të kënaqur që i thirrën njerin pas tjetrit, në Prokurori, krerët e qeverisë e të opozitës?!”
MENDIMI I Z.HOXHA
“Mendoj se ka një devijim të hetimit. Hetimi ka nisur nga fundi: Së pari: a ka ndodhur ngjarje? E së dyti, kur nuk ka ngjarje, Prokuroria shprehet me një vendim pushimi. Por në këtë rast thotë se nuk ka ngjarje dhe kjo ngjarje është e sajuar. Por, a ka një kallëzim, një indicie për këtë çështje në drejtim? Prokuroria thotë se i ka nisur hetimet nga mediat, jo nga një kallëzim. Pra, nëse s’ka kallëzim, si është i rremë?
Nga hetimet e Prokurorisë nuk është verifikuar ngjarja e datës 1 shtator, atentati ndaj shtetasit Fatjon Skënderi. Madje, edhe ai vetë nuk e ka denoncuar se tha “kam menduar që kanë ngatërruar adresë.” Por, nuk di që në këto raste të ngatërrohet adresë. Pra, këtë ngjarje s’e ka hetuar njeri, nuk thuhet se ka ndodhur.
Së dyti, Prokuroria i bie shpejt kësaj historie. I ka bërë një regjistrim ambiental kësaj çështje, i ka veshur me lejek antiplumb deputetët dhe pastaj thotë nuk ka inskenim. Nëse ka inskenim, pse duhen veshur këta me jelekë antiplumb? Në ate regjistrimin ambiental që ata të tre kanë bërë me njeri – tjetrin nuk janë thënë të gjitha, me sa dimë.
Prokuroria po i bën shërbim, vetes. Por për Durim Bamin, a ka bërë njeri hetim? Në deklarimin e këtij personi, që është i ndaluar, në burg, familja e tij është jashtë shtetit, si e provon prokuroria që kjo është gënjeshtër? Prokuroria ka marrë deklaratat e tre personave, Doshit, Frrokut dhe Bamit dhe shprehet se është inskenim pasi rezervohet tek shprehja e tyre “që këtë çështje e dimë vetëm ne.”
Pse Prokuroria e pranon ndryshimin e thënieve për rastin e Mark Frrokut dhe nuk e pranon për tjetrin? Janë katër prokurorë ama që merren me këtë çështje dhe që e kanë shprehur gëzimin e hetimit që kanë kryer. Më bëhet qejfi që ata kanë marrë guximin të thërrasin politikanët, sepse në 21 Janar ata nuk guxuan të thërrasin Sali Berishën.
Pra, në gjithë këtë histori, ky grup hetimi është përpjekur të gjejë ca kleçka e të dalë në “inskenim”. E zëmë se është e rreme? Po pse merren masa ekstreme sigurie ndaj deputetëve? Kur ti e ruan deputetin me forca speciale, pse e arreston kur ai nuk ka pse të ikë jashtë shtetit? Ndaj, arrestimi është bërë për të thënë se ne funksionojmë, nuk na bëhët vonë të fusim brenda edhe deputetët.
Por pse në 21 Janar i njëjti prokuror Blerim Tominaj nuk e ka marrë brenda Tom Doshin? Për puçin. Në atë kohë madje ishte çështje madhore, sulm ndaj institucionesh. Si mundet i njëjti organ akuze, e sheh çështjen kështu? Sepse klasa politike e jona do ta shohë këtë si një luftë të madhe ndaj korrupsionit dhe dekriminalizim.
SHBA-ja përshëndet rastin në fjalë, por ajo që bën ambasada dhe ajo që thotë prokuroria nuk janë e njëjta gjë.
Mbas zgjedhjeve të 23 Qershorit, mazhoranca që humbi tha se “ne humbën nga aleanca e krimit me opozitën e majtë.” Atëherë ne e morën si një xhest dëshpërimi. Tani na del që kjo që paska thënë Berisha nuk qenka aq kot, sepse në dhjetor 2014 ata kanë nënshkruar Rezolutën për dekriminalizimin. E nisi si kot dhe mazhoranca e pranoi, u ul në tavolinë me presionin e ndërkombëtarëve.
(ar.sh/BalkanWeb)
