TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha është prononcuar sot në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama një ditë më parë, ku kërkoi që PD ta shkruajë si të dojë reformën dhe të marrë miratimin e ndërkombëtarëve. Basha thotë se Rama nuk e ka marrë asnjëherë seriozisht reformën në drejtësi dhe kjo deklaratë e tregon më së miri.

Megjithatë Basha thekson se propozimi i opozitës është në tryezën e Ramës dhe e fton për ta votuar.

“Reforma në drejtësi nuk ka nevojë për deklarata elektorale. Kjo reformë kërkon gjithëpërfshirje të gjithë shqiptarëve, të çdo faktori politik dhe opozitës, e jo përjashtime siç ka bërë deri tani dhe siç po vazhdon të bëjë Rama. Është e vështirë t’i besosh një njeriu që një herë thotë Reforma e Drejtësisë do të kalojë pa opozitën, pastaj kërcënon se “do ta votoni me një këmbë”, pastaj tenton planin e blerjes së mandateve, pastaj plane të tjera B, C, D…e tani lëshohet në ekstremin tjetër: “shkruajeni vetë si të doni ” duke përjashtuar Partinë Socialiste nga përgjegjësia.
Me këtë deklarate ai vetëm sa fakton se asnjëherë nuk e mori seriozisht reformën në drejtësi por e trajtoi prej ditës së parë si instrument pushteti, për larje llogarish dhe intriga politike”, deklaron Basha.

Kreu i opozitës tha se nuk pranon që drejtësia të trajtohet si plaçkë duke theksuar se PD është e angazhuar dhe ka kërkuar konsensus.

“Nuk kam pranuar që në fillim, dhe nuk do të pranoj as sot, as nesër që drejtësia të trajtohet si plaçkë për të mbyllur pazare apo për të bërë kalkulime për hir të karriges. PD dhe opozita është angazhuar me seriozitet që ditën e parë, duke kërkuar konsensus, duke ofruar zgjidhje, duke qëndruar fort në parimet dhe rekomandimet e Venecias. Sepse qëllimi ynë i vetëm është një reformë që t’i shërbejë shqiptarëve dhe Shqipërisë sot dhe në dekadat që vijnë, dhe jo orekseve të ditës, skemave, intrigave dhe kurtheve për pushtet”, thotë kreu i PD.

Në përfundim Basha deklaron se ‘Opozita e ka shkruar propozimin me kaligrafi dhe përmbajtje të Venecias, dhe Rama e ka mbi tryezë’. “Ta votojmë, e shqiptarëve dhe aleatëve që po kërkojnë konsensusin tash sa kohë, t’u japim lajmin e mirë!”, thekson kreu i PD.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: