NGA: ERMELINDA HOXHAJ*
Dhurata e mirësardhjes në jetë e qytetarëve më të rinj të Tiranës, do të ofrohet vetëm për bebet e lindura në kohën e ‘Rilindjes’. Asnjë fëmijë i lindur para dhjetorit 2015, nuk do të përfitojë bonusin prej 5 mijë lekësh nga Bashkia e Tiranës. Janë me mijëra fëmijë që prej mesit të vitit 2012 deri në 2015-ën, që duhet të marrin këtë dhuratë të Bashkisë së Tiranës. “Shkuam për të pyetur për pagesën që përfiton fëmija nga Bashkia e Tiranës, por na përcollën duke na thënë se ‘nuk përfitoni se keni lindur në 2014-ën'”, – ka deklaruar një prind për “GSH”.

Sipas tyre, punonjësit e bankës ku Bashkia e Tiranës kalon shpërblimin prej 5 mijë lekësh, u ka thënë se lista e fundit e pagesës është për fëmijët e lindur në maj 2012, dhe u ka ardhur edhe një listë për 2015-ën, që ata e kanë konsideruar si listë ‘qokash’, pasi fëmijët që përfitojnë janë të muajve të ndryshëm. “Gazeta Shqiptare”, pasi është kontaktuar nga disa prindër që janë kthyer duarbosh, i është drejtuar Bashkisë së Tiranës, nga e cila ka marrë përgjigjen se për ata fëmijë nuk përgjigjet ajo, por Basha. “Nuk do të bëhet asnjë pagesë e prapambetur, 5 mijë lekëshi do të vijohet të paguhet vetëm për fëmijët që lindin gjatë këtij viti dhe në vijim. Ata që nuk e kanë marrë, të shkojnë të interesohen te drejtuesit e mëparshëm të bashkisë”, – ka deklaruar zyra e shtypit në Bashkinë e Tiranës.

BONUSI I BEBEVE
Bonusi i bebeve që jepet nga Bashkia e Tiranës ka filluar të zbatohet që prej shkurtit të vitit 2008, nismë kjo e kryebashkiakut të atëhershëm Edi Rama. Nisma vitin e parë vijoi pa probleme, por nga viti në vit iu shtuan vonesat se kur kjo dhuratë shkonte në duart e fëmijëve dhe prindërve të tyre. Në tetor 2010, ish-kryebashkiaku Rama bëri një marrëveshje me një bankë të nivelit të dytë, ku ende vijojnë të kalojnë pagesat e bebeve, se në rastet kur prindërit nuk tërheqin bonusin e dhënë nga bashkia, Banka ofron një bonus prej 2.500 lekësh, nëse të ardhurat e “Bonusit të Bashkisë Tiranë” kalohen në Llogarinë e Kursimit për Fëmijë.

Bonusi i bebeve, edhe pse me vonesa, vijoi të jepej edhe gjatë kohës kur bashkia drejtohej nga Lulzim Basha. Lista e fundit e fëmijëve që ka shkuar në bankë për t’iu kaluar pagesa është ajo e fëmijëve të lindur deri në maj 2012. Ndërkohë, për fëmijët e pas kësaj date, pra për bebet e lindura në qershor 2012, 2013, 2014 deri në nëntor 2015, nuk do të vijohet me pagesat; ky është një vendim i marrë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u mohon këtë të drejtë mijëra vogëlushëve, vetëm për faktin se kanë lindur në kohën kur Tirana drejtohej nga ish-kryebashkiaku Basha. Në 1 janar 2016, kryebashkiaku Veliaj priti në maternitet me çek në dorë fëmijën e parë të lindur për këtë vit, duke thënë se: “Bashkia e Tiranës, 5000 lekë për çdo bebe.

Mbajmë fjalën për çekun e bebeve, që kur të rriten ta përcjellin solidaritetin te gjenerata tjetër!” Duke rikujtuar fjalët që kryebashkiaku Veliaj ka shkruar në faqen e tij zyrtare në “FB”, lind pyetja: Po gjenerata e fëmijëve të lindur në 2013, 2014 dhe 2015, çfarë të përcjellin, zoti Veliaj?
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: