Nga: TEDI BLUSHI*

TIRANE-Ish-anëtarja e Komitetit Qendror të PPSH-së, Vito Kapo është dekoruar nga qeveria me “Medaljen e Mirënjohjes” për kontributin si pjesëmarrëse në luftën për Çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazi-fashistë. Lajmi u pohua dje për “Gazeta Shqiptare” nga e veja e Hysni Kapos, ish-udhëheqësit të lartë komunist, e cila falenderon hapur ekzekutivin e në veçanti ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli për vlerësimin. “Më në fund dikush u kujtua edhe për ne. Padyshim ndihem shumë e gëzuar dhe gjej rastin nëpërmjet kësaj mundësie që më jepni ju që të falenderoj qeverinë dhe në veçanti ministren e Mbrojtjes”, – shprehet Vito Kapo, ish-ministre e Industrisë së Lehtë në kohën e Enver Hoxhës dhe të Ramiz Alisë. Dekorimi i saj është bërë pa bujë. Madje siç pohon edhe vetë Kapo, “Medalja e Mirënjohjes”, i është dërguar në shtëpi me postë, pa ndonjë ceremoni zyrtare. Qeveria është kujdesur për të nderuar “në heshtje” një prej figurave kryesore të diktaturës komuniste, ndoshta në tentativë për të shmangur akuzat se po rehabiliton ish-drejtuesit e PPSH-së. Por përpjekja për të mbajtur sekret dekorimin e Vito Kapos nuk e zbeh aspak faktin se tanimë kemi të bëjmë me të parin akt zyrtar të qeverisë në drejtim të vlerësimit të figurave kryesore të diktaturës komuniste për kontrubin e dhënë gjatë Luftës Nacional- Çlirimtare. E veja e Hysni Kapos, e cila për 35 vite me rradhë ishte Sekretarja e Parë e Bashkimit të Grave të Shqipërisë mund të mos jetë e vetmja ndër ishdrejtuesit e PPSH-së të dekoruar nga qeveria. Sikundër është bërë publike me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit të atdheut janë dhënë 1000 “Medalje Mirënjohjeje”. TRANSPARENCA “Gazeta Shqiptare” i ka kërkuar prej dy javësh ministrisë së Mbrojtjes vënien në dispozicion të listës së emrave por përgjigjia ka qenë “nuk e japim”. Kjo i shton edhe më shumë dyshimet. Madje edhe për rastin e Vito Kapos ky dikaster refuzoi të ishte transparent. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli si edhe Shefi i Përgjithshëm i ushtrisë, Jeronim Bazo refuzuan t’i përgjigjeshin pyetjes së “GSH” nëse ishte dekoruar apo jo e veja e Hysni Kapos dhe për çfarë meritash. I vetmi reagim ka qenë i zëdhënëses së Kodhelit. “Janë dhënë medalje vetëm për veteranët e kategorisë “A” dhe kategorisë së Parë. Gjithçka është vendosur nga një komision i cili ka bërë shqyrtimin e detajuar të personave që duhet të merrnin medalje. Listën nuk e bën ministri”, – thuhet në reagimin për “GSH”, që kuptohet qartë se ka patur për synim të shmangë nga përgjegjësia politike e këtij akti, ministren Kodheli. Kësisoj na u rekomandua që personi që mund t’i jepte përgjigje pyetjes për rastin e Vito Kapos, nuk ishte ministrja e Mbrojtjes por Drejtori i Përkujdesjes Sociale në këtë dikaster, Kujtim Kadzadej. “Nuk jam në dijeni të rastit, pyesni në ministri”, – ka qenë përgjigjia e tij. Kësaj “loje ping-pongu” i dha fund pohimi i ishanëtares së Komitetit Qendror të PPSH-së: “Dua të përgëzoj dhe njëherë qeverinë që vendosi të nderojë luftën tonë por edhe mua personalisht për kontributin që dhamë për Çlirimin e atdheut”.

PD, Këlliçi: Kryeministri premtoi dëmshpërblim për ish-të përndjekurit, por po dekoron persekutorët

TIRANE- Drejtori i Departamentit të të Përndjekurve në Partinë Demokratike, Belind Këlliçi ka reaguar pas lajmit të “Gazeta Shqiptare” për dhënien e “Medaljes së Mirënjohjes”, ish-anëtares së Komitetit Qendror të PPSH-së, Vito Kapo. Në faqen e tij të Facebook, Këlliçi tha se ky akt është i papranueshëm dhe është zyrtarizim i përpjekjeve të vazhdueshme për rehabilitimin e sistemit gjakatar komunist.

“Eshtë i papranueshëm dekorimi që qeveria i ka bërë Vito Kapos, një prej anëtareve të kupolës së regjimit komunist për më shumë se 4 dekada. Ky akt është zyrtarizimi i përpjekjeve të vazhdueshme për rehabilitimin e sistemit gjakatar komunist, i periudhës më të errët të kombit kur shqiptarët u dhunuan në të drejtat dhe liritë më themelore, e ku populli vuajti edhe zinë e urisë”, ka shkuar Këlliçi.

Ai ka akuzuar kryeministrin Rama se po jep shpërblime e dekorata për persekutorët, në vend të dëmshpërblimeve për ish-të përndjekurit politikë.

“Herë me foto të Enverit në ceremoni zyrtare, e herë me simbole që shfaqen kudo në aktivitetet e qeverisë, Rama-Meta po çojnë në fund planin e tyre provokues për glorifikimin e diktaturës. Kryeministri pati premtuar dëmshpërblim të të përndjekurve politikë, por në fakt po jep shpërblime e dekorata për persekutorët. Këto janë akte armiqësore ndaj kombit që ende i ka të freskëta kujtimet e vuajtjeve të mëdha që la sistemi komunist, të dhjetëra mijë të pushkatuarve, me gjyq e pa gjyq, të dënuarve me burgim të përjetshëm, të internuarve, e të torturuarve mizorisht”, ka shkruar Drejtori i Departamentit të të Përndjekurve në PD.

(ma.ar/mi.ka/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb