Nëse tifozët shqiptarë po planifikojnë të ndjekin në stadium ndeshjen e tetorit kundër Spanjës, duhet të përgatiten për një udhëtim në Afrikë. Presidenti i qytetit autonom spanjoll në veriun e kontinentit afrikan, Melija, ka bërë një kërkesë zyrtare për zhvillimin e ndeshjes së 6 tetorit 2017 dhe me sa duket, ka marrë një përgjigje pozitive në parim nga Federata Spanjolle e Futbollit.

Presidenti Huan Hose Imbroda, u tregoi mediave spanjolle se i kishte dorëzuar personalisht kërkesën me shkrim presidentit të Federatës, Angel Maria Vijar, duke e përshkruar si një “aspiratë të vjetër” atë të mbajtjes për herë të parë në këtë territor spanjoll të një ndeshje të kombëtares duke shtuar se “nëse është kompeticion zyrtar, aq më mirë për ne”.

Imbroda tha gjithashtu se ekzistojnë “mundësi shumë të mëdha” që ndeshja me Shqipërinë të luhet në këtë lokalitet shumë të bukur, ndërsa konfirmoi se kishte pranuar me kënaqësi që të dërgonte të gjitha raportet teknike që kërkoheshin për të plotësuar kërkesat e FIFA-s për zhvillimin e ndeshjes sipas standardeve.

“Do të ishte një lajm i shkëlqyer për qytetin e Melijas nëse skuadra kombëtare do të vinte këtu dhe nga ana jonë, do të bëjmë maksimumin që ta realizojmë”, deklaroi Imbroda, i cili është presidenti i qytetit-port që ka një popullsi prej rreth 80 mijë banorësh.

Stadiumi ku planifikohet të luhet ndeshja është “Estadio Municipal Álvarez Claro”, i cili ka një kapacitet prej 12 mijë vendesh të ulura dhe ku zhvillon takimet e saj skuadra e UD Melija. Kjo skuadër merr pjesë në kampionatin spanjoll të Segunda B dhe sigurisht që pret aty kundërshtarët e saj, ndërsa vetë udhëton drejt kontinentit europian sa herë që ka takime jashtë fushe. /panoramasport/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: