TIRANE- Me anë të një letre drejtuar Kryeminstrit Rama, Presidentit Ilir Meta, ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tetë mjekë të Urgjencës në QSUT dhanë dorëheqjen sot paradite, për shkak të kushteve të vështira të punës.

Nuk dimë nëse ata kanë ndryshuar mendje pas negociatave me zv.ministren e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, por shefi i shërbimit të Urgjences, prof. Edmond Zaimi në një prononcim për mediat thotë se bëhet fjalë për një problem të brendshëm, ndërsa mjekët që kanë firmosur peticionin vijojnë punën në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga drejtoria.

“Siç e shihni edhe vetë situata është e ngarkuar me shumë të sëmurë, jo vetëm të Tiranës por nga e gjithë Shqipëria, i kalon kapacitetet e shërbimit tonë, shtohet një ngarkesë e madhe për personelin ç’ka bën që edhe gabimet të shtohen. Në këto kushte i gjithë stafi i Urgjencës ka shkruajtur një tip peticioni për drejtorin e Urgjencës por që akoma nuk është dorëzuar, me kërkesat tona për të rregulluar gjendjen. Janë problem që duam t’i zgjidhim me forcat tona të brendshme. Ne nuk kemi dhënë dorëheqje në ’97, kjo është një kërkesë drejtuar drejtorisë. Ne të gjithë jemi në punë por ngarkesa është shumë e madhe”,- thotë ai.

Në letrën e siguruar nga “BalkanWeb”, e firmosur nga mjekët: Elton Calliku, Petrit Gjorgji, Besmir Kocia, Petrit Vargu, Jonida Kito, Eqerem Hasani, Afrim Yzeiraj dhe Etiomena Bracaj ata jepnin dorëheqjen duke e arsyetuar se nuk kishin kushte pune dhe staf mjekësor, në kushtet e një mbingarkese me të sëmurë të shtruar në spital.

memo

Mjekët kanë njoftuar për tërheqjen 30 ditë përpara sipas Kodit të Punës.
“Tërhiqemi nga pozicioni i punës. Nuk ka kushte pune për stafin mjekësor dhe ka mbingarkesë me të sëmurë të shtruar. Ka mungesë vendesh në pavianët e tjera dhe shërbimet nuk zbatojnë urdhrat. Po paralajmërojmë sipas kodit të punës 30 ditë përpara”- thuhet ndër të tjera në lerën e mjekëve të Urgjencës së QSUT.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb