DURRES- Pas sekuestrimit të një sasie të konsiderueshme droge në Durrës, rreth 613 kilogramë kokainë të fshehura në një kontejner me banane që vinte Kolumbia, policia vijon kontrollet. Mësohet se aktualisht në Portin e Durrësit ndodhen edhe dy kontejnerë të tjerë me banane, që i përkasin të njëjtës kompani “Arbër Garden”, të cilët pritet të kontrollohen sot pasi të kryhen procedurat doganore.

Sakaq, detaje të reja janë bërë publike nga hetimi për sekuestrimin e lëndës së konsiderueshme narkotike, një ditë më parë në Maminas.

Gazetarja Doriana Bezat raporton për “BalkanWeb” se shkak për kontrollin e imtësishëm në kontejnerin ku u gjet sasia e konsiderueshme e kokainës, prej 613 kilogramësh, u bë fundi i dyshimtë i tij.

Pas dyshimeve për modifikime të strukturës, kontejneri u kalua në skaner, nga ku u zbulua edhe lënda narkotike.

Nisur nga informacionet për trafik të drogave të forta nga vendet e origjinës drejt Shqipërisë me mjete lundruese, duke shfrytëzuar mallrat e ndryshme që eksportohen nga këto vende, specialistët e antidrogës në policinë e Durrësit kanë përqendruar vëmendjen tek kontejnerët që vinin nga Kolumbia.

Nisur nga të dhënat e deritanishme për hetimin, mësohet se kontejneri është mbajtur në vëzhgim që prej datës 27 shkurt, ku pas procedurave të zhdoganimit, ai u tërhoq nga Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku. Pas mbërritjes në magazinën në Maminas ka ndërhyre policia, duke finalizuar operacionin.

Mësohet se ndaj këtij subjekti janë ushtruar edhe kontrolle të tjera, si në Shqipëri, ashtu edhe në vendet e tjera të origjinës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb