Nga: MIMOZA KOÇIU*
Skenari Oruellian i “Ferma e kafshëve” është ai që po luhet sot në Partinë Socialiste. “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta se të tjerat”. Kryetari Edi Rama, i pari mes të barabartë e propozoi në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të partisë këtë të mërkurë, që mbi 100 mijë anëtarët e PS të thirren në referendum për t’iu përgjigjur hallit të kryetarit, që është edhe kryeministër i vendit, nëse mandati i tij duhet të ndërpritet apo jo, edhe pse sipas statutit, mandati i z.Rama ka mbaruar prej tri vitesh. Propozimi i Ramës ka së pari vetëdijësimin se statuti është shkelur, e se kjo situatë nuk mbahet dot më me justifikimet populiste për kryeministrin, që duhet të punojë e jo të merret me garën në parti. Edhe pse pikëpyetja e qartë e këtij debati është se a do zbatohet apo jo statuti në fuqi i Partisë Socialiste, anëtarët e saj do pyeten në mënyrë retorike nëse do rizgjedhin kryetarin në detyrë. Duhet pranuar se Edi Rama ka spikatur gjithnjë me larminë e taktikave politike për të shfrytëzuar me këmbëngulje çdo mjet e mënyrë në favorin e vet. Në këtë ambicie, prej vitit 1998, kur u fut për herë të parë në qeverinë e Fatos Nanos, ai ka qenë dhe është i pakonkurrueshëm. Edhe këtë herë duket konsekuent në sjelljen e tij në politikë. Po i kundërvihet një statuti në fuqi, që ka miratuar vetë, me një argument dekorativ, i bukur nga jashtë, por jofunksional në brendësi, statutin e një partie tjetër, anëtarët e së cilës nuk flasin as shqip, laburistët anglezë.
Të gjithë kemi qenë deri diku indiferentë për debatin mbi statutin e PS, i hapur që në tetor të 2013-ës, publikisht nga Ben Blushi, duke e konsideruar me të drejtë si një çështje e funksionimit e demokracisë së brendshme në PS. Jemi marrë më shumë me Edi Ramën si kryeministri i ri që erdhi në pushtet me një mbështetje të jashtëzakonshme, e përkthyer në një shumicë pothuaj kushtetuese në parlament. Kemi përcjellë zhgënjimin e pritshmërive nga realiteti, jo vetëm të votuesve për punën e qeverisë, por edhe ndjeshmërinë e pazakontë që kryeministri ka ndaj kritikave, si dhe mohimin kryeneç që u bën edhe situatave më të pajustifikueshme. Si kryetar-kryeministër ka meritën e qartë të rritjes së numrit të zonjave në vendimmarrje, në kabinetin e tij, e vendosjen e kuotës gjinore 50% në këshillat vendorë. Por nuk pranon t’i njohë vetes autorësinë për të zgjedhurit e vet në parlamentin e Shqipërisë, ata që janë pasqyrimi i elektoratit që e ka zgjedhur z.Rama si kryeministër, e për një pjesë të të cilëve u miratua një ligj për dekriminalizimin. Të gjitha këto po zbehen para zhvillimeve brenda PS. Kritikat e vetmuara të Ben Blushit që i kërkonte kryetarit zbatimin e statutit, mbase do mbeteshin të tilla, nëse Blushi nuk do shpallte se do e sfidonte Edi Ramën jo vetëm si kryetar partie, por edhe si kryeministër. Mesa duket, këtu Blushi preku sedrën e kryetarit-kryeministër, që me mënyrën e pakontrolluar të reagimit i dha rivalit të vet gjithë vizibilitetin publik, që nuk do kishte dashur kurrë t’ia jepte, si njohës dhe përdorues i shkëlqyer i parimit, se nëse nuk flitet apo i kushtohet vëmendje diçkaje, ajo thjesht nuk ekziston.
Kjo u provua në takimin e socialistëve në Elbasan. Pamjet e shëmtuara të sulmeve verbale e jo vetëm ndaj kreut të listës së qarkut Ben Blushi, ishin imazhi i asaj Partie Socialiste, që Edi Rama po përpiqet shumë ta pastrojë: se nuk është parti e të fortëve, që i çon deri në poste të larta publike e në parlament.
E artisti-kryeministër që mburret me të drejtë për shijet e holla estetike ishte aty, në atë sallë teksa Blushi linçohej nga një grup i vogël njerëzish në fund të saj, një pjesë e tyre në funksione vendore si zgjedhje të PS. Duket se instinktet njerëzore dominuan mjeshtrin e komunikimit publik, që nuk u kujdes as për distancimin formal nga ajo ngjarje, që edhe pse u mbyll për mediat, bëri xhiron e tyre e të rrjeteve sociale falë celularëve në sallë, që regjistruan momentet e atij modeli të socialistëve. Si kurrë opinioni publik e politik u dominua nga neveria si ndjesi për ngjarjen e Elbasanit e vetë kryetari Rama i konsideroi si “të pasjellshme”, një term i goditur duhet thënë, për të shmangur distancimin direkt siç do i kishte hije. Ajo çka bie në sy është orientimi i kujdesshëm i vëmendjes publike nga debati thelbësor për statutin e normat në PS, drejt një gare a sfide personale që Blushi paskërka me Edi Ramën. E kjo taktikë që po tenton të sfumojë edhe aksionet më të dukshme siç janë ndryshimi i statutit për të fuqizuar më tej kryetarin e partisë e deri te propozimi i vetë kryetarit për një referendum për mandatin e tij në vend të garës që parashikon statuti në fuqi. Këto veprime ngrenë pikëpyetjen se a janë të barabartë anëtarët në PS, siç e parashikon statuti i saj? Fuqia e kryetarit njihet në partitë politike në Shqipëri dhe mbase Rama nuk duhet parë si njeriu i jashtëzakonshëm, që nuk mund të infektohet nga efekti dehës i karriges, por ndryshe nga të tjerët, ai e ka një historik. Ky është rrugëtimi i tij jo pa pengesa në krye të PS, një rrugëtim që i rrëzon çdo justifikim. Pesë vjet pasi ushtronte funksione publike në emër të PS, në tetor të 2003, Edi Rama merr teserën e anëtarësimit dhe dy javë më pas regjistrohet në garën për kryetar të partisë bashkë me Rexhep Meidanin, duke sfiduar kështu kryetarin në detyrë, Fatos Nanon, njëlloj kryeministër si Edi Rama sot. Në 8 vitet kur socialistët ishin në qeverisje, prej 1997 deri në 2005, kanë ndërruar 5 kryeministra: Nano, Majko, Meta, Majko, Nano, e përveç rastit të parë kur Nano dha dorëheqjen pas ngjarjeve të 14 shtatorit 1998, në të gjitha rastet e tjera, asnjë pengesë nuk ka pasur për të sfiduar kryetarin e partisë a kryeministrin e socialistëve dhe rotacioni është kryer pa e çuar asnjëherë vendin në zgjedhje të parakohshme. Për pasojë, argumentet e z.Rama se po synohet të rrëzohet qeveria, meqë ai po sfidohet si kryetar e kryeministër, nuk qëndrojnë, sepse kjo lloj sfide është realizuar plot katër herë brenda PS kur ishte në qeverisje. Kjo kujtesë e historisë së PS nuk është për të justifikuar e nxitur një përsëritje të së kaluarës, por për të njohur një të drejtë që është zbatuar, sipas statutit të pamodernizuar të socialistëve së pari e së dyti, për të mos e parë si kataklizmonë, që paraqet kryetari kryeministër Rama, edhe pse Pandeli Majkon, dy herë kryeministër në atë periudhë e ka provë të gjallë. Ajo që befason te z.Rama është bezdia e lexueshme ndaj rregullave, të cilave duhet t’u nënshtrohet vetë. Një bezdi që shkon deri në paralajmërime me zëra të tjerë se Ben Blushi po vetëpërjashtohet nga PS. Vërtetë Ramës i takon merita e futjes së parimit ‘1 anëtar, 1 votë’ në PS dhe është zgjedhur sipas këtij parimi, por a e bën kjo të paprekshëm nga rregullat e partisë?
Blushi, Dade, Hafizi e disa të tjerë si ata kërkojnë diçka të thjeshtë e të prekshme, respektimin e statutit ende në fuqi, ndërsa mbrojtja e kryetarit bëhet me statut të një partie britanike, që për më tepër, keqinterpretohet kur paraqitet si argument. Mjafton ta hapësh statutin e laburistëve anglezë, e në kapitullin IV, pika D/ii thuhet se kur partia është në qeverisje dhe kryetari është kryeministër është krejt e mundur që ai të sfidohet, çdo vit madje, kur këtë e kërkon shumica e anëtarëve në konferencën e partisë.
Duket sikur meraku i Ramës nuk është për kreun e PS, por për postin e kryeministrit, që fatkeqësisht në statut është i unifikuar me atë të kryetarit. Akuzat se po synohet rrëzimi i qeverisë në fakt e ilustrojnë këtë merak. E kjo rrëzon edhe gjithë kompasionin publik që u krijua para disa muajsh, kur kryeministri në një intervistë televizive u shfaq i brishtë nga përplasja e fortë me Ilir Metën, duke aluduar se mund të largohej nga detyra më herët nga sa mund të mendohej. Aktet e tij në fakt na tregojnë të kundërtën. Ato vërtetojnë një vlerësim që bëri para dy javësh në Tiranë filozofi konservator anglez, Roger Scruton, njohës i mirë i konservatorëve, por edhe i laburistëve në Britani, se ajo çka Rama mund të mësojë nga Toni Bler, është si të qëndrojë sa më gjatë në pushtet, e jo çfarë të bëjë për njerëzit.
Nuk duhet harruar se Toni Bler i drejtoi laburistët për 13 vjet. Për 10 vjet ishte kryeministër i tyre në Britaninë e Madhe, e nëse nuk do funksiononte demokracia e brendshme në atë parti, z.Bler nuk do ishte detyruar ta ndërpriste, por do e kishte mbyllur edhe mandatin e tretë si kryeministër. Referencat edhe faktike me laburistët, nuk ka pse ta përjashtojnë këtë mundësi në Shqipëri. Nëse referendumi për mandatin e tij do realizohet siç e propozoi kryetari-kryeministër, e me fuqizimin e që i bëhet rolit të tij me ndryshimet në statutin, z.Rama do jetë pa dyshim Toni Bleri shqiptar në PS, e në qeverisjen e vendit. Por ka një ndryshim që është vështirë të anashkalohet: Toni Bler nuk u sfidua asnjëherë brenda laburistëve në 10 vitet si kryeministër. Ndërsa z.Rama po përdor fuqinë e postit për të mos lejuar sfidën që po i bëhet. Testi i demokracisë së brendshme në parti është krejt i thjeshtë: je i barabartë mes të barabartëve, apo i pari mes të barabartëve.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb