TIRANE- Kërkoi fjalën, ndonëse nuk ishte parashikur në axhendën e Partisë Demokratike dhe bëri kritikë të fortë ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha. Eduard Selami u prit me ovacione dhe fishkëllima nga demokratët, por tha se ishte aty për t’i kërkuar Lulzim Bashës të tërhiqte statutin, që më shumë se i bashkimit ishte i përjashtimit.

“Partia Demokratike ka probleme me demokracinë e brendshëm, respektimin e statutit, jo me statutin. Ne dhamë disa mendime që nuk gjenden në këtë projekt statut. Ju më premtuat një analizë të thellë, se do bënim analizë, por kjo nuk ndodhi. Ne kemi rekorde shumë të këqija që nga 2005, jemi 50 më pak, fatkeqësisht po ngutemi dhe po nxitojmë sërish. Zoti kryetar ky është statuti më i keq që ka pasur PD”,- u shpreh ai.

Ndërsa Selami thoshte këto fjalë, pati fishkëllima nga salla. Ai ndali për pak minuta diskutimin dhe iu drejtua atyre: “S’kam ndërmend të iki. Në ‘95 kërkuat ikjen time dhe ja ku vati Shqipëria”
fishkellehet Selami
Pastaj Selami vijoi duke thënë se Partia Demokratike është në shërbim të kryetarit.

“Ky nuk është statut i bashkimit, por i përjashtimit. Në nenin 47 përdoret fjala përjashtim. Në prill të 2016 Basha shkarkoi 22 kryetarë degësh, nuk iu hapi as telefonin. Tani s’do quhet shkelje, se i ka me statut për këtë brohorisni ju”,- iu drejtua sërish sallës.

Duke vijuar me akuzat, Selami tha: “Basha tërhiqe këtë statut. Mbaj premtimin. Hape PD. Bëj analizën e humbjeve. Ke dy humbje rresht në më pak se 5 vite. Nëse vazhdojmë kështu, edhe situata do vijojë e tij. Pavarësisht se unë i shtrëngova dorën Bashës, dhe i urova fitoren, doli një video ku shfaqej vjedhja e votave brenda nesh. Si mund të jemi ne partia e demokracisë kur votat vidhen brenda nesh. Kjo nuk është rruga jo vetëm për PD, jo vetëm për të djathtën shqiptare që po e mban peng, jo vetëm që nuk është rruga për opozitën, por as për Shqipërinë dhe shqiptarët”,- tha ai.

Edhe në përfundim të fjalës së tij, Selami u fishkëllye nga demokratët brenda sallës, që mendonin ndryshe nga ai.
(m.a/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb