Kryeministri shqiptar, Edi Rama po këshillohet nga një ekspert serb sa u përket menaxhimit të financave të qeverisë”. Lajmi është publikuar në gazetën e njohur serbe “Kurir”, sipas së cilës zv/kryeministri në qeverinë serbe në vitet 2007-2011, Bozhidar Deliç do të asistojë kreun e qeverisë shqiptare. “Kurir” shkruan se angazhimi i Deliç në projektin me qeverinë shqiptare është diskutuar dhe dakordësuar edhe nga vetë kryeministri Edi Rama gjatë vizitës që kryeministri shqiptar pati në Paris, në qershor të vitit të kaluar. Bozhidar Deliç është pjesë e kompanisë “Lazard” (French Investment Bank Lazard). Deliç është emëruar prej disa muajsh si drejtor ekzekutiv i saj. Lazard është njëra prej firmave më të mira të këshillimit financiar në botë, e cila vepron në 26 vende në Amerikën e Veriut, Evropë, Azi, Australi, Amerikën Qendrore dhe Jugore. Ajo është krijuar që në 1848 dhe ofron këshilla mbi bashkimet dhe blerjet, çështjet strategjike, ristrukturimin dhe strukturën e kapitalit, rritjen e kapitalit dhe financave të korporatave, si dhe shërbimet e menaxhimit të aseteve në shoqëritë, ortakëritë, institucionet, qeveritë dhe individët. Të pyetur nga “GSH”, burimet zyrtare nga Kryeministria mohuan që Deliç të jetë punësuar nga qeveria shqiptare. “Ai mund të jetë përfshirë me ndonjë projekt përmes institucioneve të huaja, por s’ka lidhje me qeverinë shqiptare”, thanë për “GSH” burime pranë kabinetit të kryeministrit.

“LAZARD”
Kompania “Lazard” është njëra prej firmave më të mira të këshillimit financiar në botë. Ajo ofron këshilla mbi bashkimet dhe blerjet, çështjet strategjike, ristrukturimin dhe strukturën e kapitalit, rritjen e kapitalit dhe financave të korporatave, si dhe shërbimet e menaxhimit të aseteve në shoqëritë, ortakëritë, institucionet, qeveritë dhe individët.

PUNESIMI I DELIÇ

Sipas burimeve që citon “Kurir”, Deliç ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha funksionet politike që ka mbajtur në Serbi në Partinë Demokratike serbe, por edhe si deputet në Parlamentin serb që prej vitit 2013. Në momentin e dorëheqjes, Delliç ka shprehur angazhimin e tij të ri për të këshilluar shtetet, kompanitë e mëdha dhe bankat për të zbatuar strategjitë e tyre financiare.

Ai ka qenë zv/kryeministër në kohën që president i Serbisë ka qenë Boris Tadiç. Deliç është vlerësuar për përvojën që ai ka pasur në qeverinë serbe, citohen burimet nga gazeta serbe. “Unë pres sfida të reja profesionale që do të më çojnë nëpër të gjithë botën. Lazard është renditur në mesin e pesë këshilltarëve financiarë të lartë në botë dhe menaxhon në emër të aseteve të klientëve të saj, një vlerë $ 180.000.000.000”, ka shkruar Deliç në fjalimin e tij të fundit, për publikun serb. Deliç me këtë rast ka shprehur shumë shqetësim për shkak të gjendjes së keqe ekonomike në të cilën ai e la Serbinë. “Unë jam i shqetësuar, natyrisht, për shkak të krizës së thellë ekonomike dhe sociale. Investimet janë të thata, fuqia blerëse bie, varfëria rritet, ndërsa financat publike janë të afërta me pikën e thyerjes” – ka thënë Deliç. Madje gazeta serbe shkruan se Deliç është vendosur në qytetin e dritave, në një apartament luksoz prej rreth 90 metra katrorë, që ndodhet pranë Kullës Eifel. Diskutimi se përse qeverinë shqiptare e këshillon një ekspert me kombësi serbe, në fakt nuk do të ishte bërë aspak, nëse nuk do ishin shfaqur edhe në takimin e nëntorit të vitit të kaluar mes kryeministrit Edi Rama dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndarjet që mbeten ende në marrëdhëniet mes dy vendeve, për shkak të njohjes së Kosovës si shtet i pavarur.

(Botuar në numrin e sotshëm të Gazetës Shqiptare”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: