BRUKSEL- Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, KA prezantuar zyrtarisht para Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian në Strasburg progres-raportin për vendet që duan të bëhen pjesë e Unionit, përfshi këtu edhe Shqipërinë.

Mogherini tha në fjalën e saj se Komisioni Europian ka vendosur të hapë bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Por pas deklaratës, kanë vijuar pyetjet nga gazetarët. Mogherini “u vu në siklet” nga pyetja e gazetares së “Financial Times”, e cila pyeti se si do të bindet Këshilli Europian, në një kohë kur Shqipëria ka nivel të lartë korrupsioni dhe krimi të organizuar.

Sa i përket kundërshtimit të Francës dhe Gjermanisë për Shqipërinë, Mogherini u shpreh se “nuk na takon neve të bindim këshillin”. “Rezultatet janë të dukshme, vendimi i sotëm bazohet në vlerësimin e progresit”.

“Së pari, nuk ka vende të vogla e të mëdha anëtare. Së dyti nuk i takon Komisionit që të bindë Këshillin e Europës. Ka një mënyrë bashkëpunimi, por mbështetet në autonomi në vendime dhe mendime. Por siç tha Hahn, unë mendoj se dokumenti që kemi miratuar sot tregon qartësisht situatën, siç ka qenë dhe si është dhe rezultatet e arritura. Unë nuk dua të hyj në hollësi, dhe do t’i ruaj komunikimet me shtypin lokal. Vendimi që morëm sot të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë, bazohet në vlerësime mjaft të rrepta dhe rigoroze. Hapja e negociatave është një inkurajim për këto vende që të vijojnë reformat. Ruajtja dhe thellimi i këtyre reformave do të jetë themelore. Megjithatë i takon të 28 vendeve anëtare të vendosin. Por mesazhi inkurajues për Tiranën dhe Shkupin ka ardhur tashmë”, u shpreh Mogherini.

Ndërsa eurokomisioneri Hahn tha se: “Ky është një rekomandim. Natyrisht që jemi këtu për të dhënë informacione shtesë, për të ndihmuar për marrjen e një opinioni. Po ashtu është me rëndësi që ne të punojmë me shtetet tona anëtare për të ju shpjeguar qytetarëve tanë përfitimet të një integrimi të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Duhet t’u shpjegojmë. Sondazhet tregojnë se shumica e këtyre qytetarëve janë kundër, por ka një rritje të optimizmit për zgjerimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor. Pra, ka një ndërgjegjësim më të madh. Mendoj se ky është një rezultat i vetëm, por mjaft premtues”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb