Nga ANILA JOLE*

Policia greke ka vënë në pranga 2 bashkëpunëtorë të ngushtë të terroristit të njohur Kristodulos Ksiros, njëri prej të cilëve është shqiptar.

Sipas informacioneve të policisë, të cilave iu referohen mediat vendase, shqiptari 37 vjeç, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, njihet me emrin ‘Theoharis’, dhe është ai, i cili kishte marrë me qira shtëpinë ku fshihej Ksiros gjatë arratisë së tij 1-vjeçare nga burgu.

I arrestuari tjetër është një shtetas grek 54 vjeç. Polica dyshon se dy të arrestuarit janë përfshirë në krime të ndryshme në bashkëpunim me Ksiros dhe prokuroria ka ngritur tashmë akuzat ndaj tyre.

Veçanërisht për shqiptarin, dyshohet se është personi që kryente lidhjet për transportin e armëve nga Shqipëria drejt Greqisë. Arrestimi i dy bashkëpunëtorëve të Ksiros u bë gjatë një operacioni të kryer natën e kaluar. Kujtojmë se Kristodulos Ksiros u arrestua mesditën e 3 janarit në Anavisos, një vit pas arratisjes nga burgu i Koridalosë. Ai mori një leje 9-ditore, pas së cilës nuk u paraqit më. Policia tha se i shumëkërkuari po përgatiste të kryente një sulm në burgun e Koridhalosë dhe këtë e vërtetonin arsenali i armëve dhe mjeteve që u gjet në banesën e tij.

Kristodulos Ksiros është ekzekutori i organizatës terroriste “17 Nëntori”, i cili ka kryer disa vrasje dhe është i dënuar me burgim të përjetshëm.

(ar.sh/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: