NGA: Aurora Golemi
Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, znj.Milena Harito ka zhvilluar sot paradite prezantimin dhe konsultimin publik të projektligjit “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë”. Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues të shoqatave të biznesit dhe Shoqërisë Civile.
“Është një ligj krejtësisht inovator, sepse trajton një problem që nuk është trajtuar asnjëherë në legjislacionin shqiptar: Problemin se si shteti duhet t’u shërbejë qytetarëve”, është shprehur ministrja Harito.

Sipas saj ky ligj është vetëm një pjëse e reformës shumë madhore të qeverisë shqiptare, që është reforma e shërbimeve publike.
Duke folur për gjendjen e trashëguar të sporteleve të shtetit shqiptar ministrja Harito ka nënvizuar se në to qytetarët përballen me radhë të gjata, mungesë procedurash standard, mungesë afatesh kohore dhe shumë shpesh kanë mungesë përgjigjeje nga institucionet.

Mungesa e përgjigjes është një nga mënyrat për të bërë korrupsion, sepse aty ku ka paqartësi, aty ku ka mungesë transparence, sigurisht krijohet mundësia për korrupsion.
Sipas ministres Harito ndryshimi thelbësor që parashikon ky projektligj është ndarja e sporteleve të shërbimit nga zyrat përgjegjëse të shërbimit. Kjo gjë do të krijojë mundësinë e menaxhimit të sporteleve në mënyrë të unifikuar, do të garantojë të njëjtën cilësi ofrimi shërbimi në çdo zonë të Shqipërisë dhe do të mbyllë hapësirat për vonesa të qëllimshme në dhënien e shërbimit me synim korrupsionin.

Në fund të fjalës së saj ministrja ka folur edhe për të ardhmen e Shërbimeve Publike që sipas saj do të jenë ofrimi i shërbimeve online, duke ju krijuar mundësinë qytetarëve të marrin shërbimet pa u paraqitur në sportelet e shtetit dhe më tej akoma ngritja e qendrave të integruara të shërbimeve sipas parimit “one stop shop”.
(er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb