TIRANË- Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto ka firmosur marrëveshjen për hartimin e projektit Plani i Qëndrueshëm i Transportit me kompaninë konsulente PriceWaterhouseCoopers Advisory. Ky plan ka si qëllim kryesor kursimin e energjisë në sektorët e transportit dhe sigurimin e një zhvillimi të qëndrueshëm të rrjetit të transportit në Shqipëri.

Objektivi kryesor i këtij projekti është përgatitja e Planit të Qëndrueshëm të Transportit për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, i cili do të jetë dokument kyç për institucionin në përmbushjen e qëllimit të kursimit të energjisë për sektorin e transportit në Shqipëri dhe për një zhvillim të qëndrueshëm të rrjetit të transportit.
Për transportin kombëtar objektivi kryesor është përgatitja e një plani pragmatik, duke vendosur objektiva për zhvillimin e qëndrueshëm të rrjetit multimodal të transportit, ndërsa për transportin urban t’i sigurojë Ministrisë hartimin e politikave dhe praktikave më të mira, të cilat mund të zbatohen në nivel vendor.
Transporti është një nga përdoruesit më të mëdhenj të energjisë në Shqipëri, që përfaqëson rreth 40% të konsumit të përgjithshëm të energjisë dhe ky plan vjen në kuadër të angazhimit të Qeverisë Shqiptare për zbatimin e politikave të efiçencës së energjisë dhe praktikat në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Energjisë (2008-2020).
Ky projekt do të hartohet brenda një afati 8 mujor. Grandi për këtë projekt është mbështetur nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb