Prokuroria e Krimeve të Rënda ka thirrur ish¬ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, këtë javë për të dhënë deklarime në lidhje me çështjen e Emiljano Shullazit.Shkak i thirrjes së Tahirit në cilësinë e deklaruesit, janë bërë dëshmitë e dhëna më herët në prokurori nga rektorët Dhori Kule e Mynir Koni, si dhe nga drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, raporton “Panorama”.

Dy rektorët, që dyshohet se janë kërcënuar nga Emiljano Shullazi në prill 2016, kur mbahej fushata për zgjedhjet në universitete, në dëshminë e tyre kanë përmendur Tahirin. Ata kanë thënë se pasi u kanosën nga persona të panjohur para një hoteli në Tiranë, kanë marrë kontakt me drejtorin e Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj. Ky i fundit, bashkë me dy rektorët, kanë shkuar atë ditë në zyrën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili ka mësuar ngjarjen dhe u ka premtuar rektorëve se Policia do të bënte gjithçka për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë thënë se saktësimi i këtyre rrethanave është bërë shkak për fletëthirrjen dërguar ishministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Nga ana tjetër, gazeta “Panorama” ka publikuar dje të dhëna, sipas të cilave, javën e kaluar në prokurori është pyetur drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj. Përveç deklarimeve të marra në lidhje me procedurën e ndjekur nga Policia në mesin e muajit prill 2016, kur është bërë shoqërimi i Emiljano Shullazit, burimet e Policisë kanë thënë se drejtori i Policisë së kryeqytetit është pyetur edhe për komunikimet e tij me eprorët dhe me vartësit ditën e ngjarjes.

HETIMET PËR SHULLAZIN
Bazuar në kallëzimin e një biznesmeni nga Tirana, Prokuroria kishte nisur hetimet ndaj Emiljano Shullazit për gjobëvënie, në shkurt 2016. Dy muaj më vonë, në mesin e prillit 2016, personazhi i njohur në Tiranë u arrestua bashkë me shtetasit Blerim Shullazi dhe Gilmando Dani për disa akuza. Arrestimi i Shullazit u bë ditën e denoncimit publik për kërcënimin e dy rektorëve, Dhori Kule e Mynir Koni, edhe pse këta të fundit nuk dëshmuan asnjëherë nëse kishin arritur ta njihnin autorin e kërcënimit ndaj tyre. Prokuroria kërkoi në gjykatë caktimin e masës së sigurisë arrest me burg për Shullazin dhe dy bashkëpunëtorët e tij, me akuzën për katër raste gjobëvëniesh, por deri tani vetëm biznesmeni Ylvi Beqja ka pranuar të japë deklarime në statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Biznesmeni që e paditi i pari Shullazin ishte larguar nga Shqipëria para arrestimit të të dyshuarit, ndërsa dy biznesmenë të tjerë nuk kanë pranuar të japin deklarime në prokurori.

Ylvi Beqja ka pretenduar se Shullazi e grupi i tij (pesë të arrestuar gjithsej), i kanë marrë rreth 700 mijë euro dhe 30 për qind të aksioneve të ish¬hotel “Vollgës” në Durrës. Pavarësisht dëshmisë së dhënë në hetimet paraprake, seancat për sigurimin e kësaj dëshmie në gjykatë po dështojnë prej më se një muaji e gjysmë, pasi asnjë avokat nuk pranon mbrojtjen e të pandehurve. Nga ana tjetër, avokatët e Emiljano Shullazit dhe të tjerëve nuk i kanë pranuar akuzat, duke hedhur poshtë deklarimet e biznesmenit Ylvi Beqja. Ky i fundit u akuzua publikisht nga disa tregtarë për marrje shumash të mëdha hua dhe moskthimin e tyre në kohë. Vetë dëshmitari i mbrojtur, Ylvi Beqja, ka pretenduar se nuk ka asgjë të vërtetë në akuzat që i janë bërë publikisht për shkak se ka pranuar të dëshmojë në lidhje me gjobëvënien./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: