Në përfundim të takimit Flamurtari-Tirana që përfundoi me fitoren e vendasve 1-0 ka folur edhe administratori i ekipit vlonjat, Sinan Idrizi. Ai edhe njëherë tjetër ka shënjestruar Federatën Shqiptare të Futbollit, por ndërkohë ka pranuar se Flamurtari duhej të ishte më lart jo thjesht nga pikët e hequra, por edhe pa to.

“Natyrisht që jam i kënaqur për fitoren ndaj Tiranës, por fundja kjo është detyra e skuadrës, të fitojë, aq më tepër përballë publikut vlonjat. Thjesht i përgëzova për fitoren, mendoj se bënë një ndeshje pozitive” – është shprehur fillimisht Idrizi për Supersport.

Vlonjati nuk ka ngurruar edhe njëherë tjetër të akuzojë FSHF-në jo vetëm që është me dy standarte, por edhe dashakeqëse ndaj njërit klubit dhe favorizues ndaj një tjetri.

“Kjo tashmë duket hapur jo vetëm në marrëdhëniet me klubin e Flamurtarit. Federata luan rolin e çifligarit, ndërkohë që standartet dhe ligjet janë thyer disa herë. Personalisht, as vetë nganjëherë nuk e di pozicionin tim te Flamurtari. Megjithatë, shpresoj që gjithçka të futet në shina.”

Me këtë fitore, Flamurtari ngjitet në vend të shtatë, me 13 pikë, duke lënë pas 3 skuadra. Nëse do të kishin edhe 6 pikët e hequra, atëherë vlonjatët do të kishin 19 pikë, aq sa Vllaznia.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb