Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, pas ndeshjes së barazuar 1-1 me Kamzën debutuese ka akuzuar gjyqtarin kryesor të ndeshjes, Klajdi Kolën, se ka favorizuar kundërshtarët në pjesën e dytë të lojës. Në përfundim të 90-të minutave Daja i kërkoi llogari Kolës për sjelljen e tij gjatë 45-së minutave të dyta, ndërsa për “super sport” tregoi ngjarjen.

Për kontestimet e gjyqtarit

“Duhet ta ndaj këtë pjesë, të mos u krijoj alibi lojtarëve që t’ua kalojmë komplet fajin gjyqtarit, se mund ta çonim vetë ndeshjen 2-0. Por më vjen shumë keq se në një ambient Fair Play, ku gjithçka ishte e qetë, të menaxhosh lojën në këtë farë mënyrë, nuk them se është paaftësi, është e mirëmenduar nga arbitri.

Po të shohësh pjesën e dytë, lojë efektive të cilën e duam ne aktorët e futbollit, nuk e kam matur por ka pak. Dhe të ketë 3-4 lojtarë që tërhiqnin në mënyrë të vazhduar lojtarët tonë, ndërsa për një prekje të pavullnetshme të Lilajt jepet karton. Diçka e vazhdueshme dhe e të përsëritur, çdo kontakt për ne ishte lojë në avantazh, për ata ishte ndërprerje. Në fund të bie në sy që vetëm tre minuta qëndroi barela në fushë në pjesën e dytë. U bënë 5 ndërrime dhe gjyqtari jep shtesë prej 3 minutash”.

Për barazimin e sotëm ndaj Kamzës

“E para, ky është futbolli se kishim vetëm një situatë të rrezikshme në portën tonë dhe kundërshtari mori barazimin. Fakti që kishim një rrotacion me pesë lojtarë, të rinjve u duhet kohë të përshtaten me manovrën e ekipit.

Pas avantazhit në pjesën e parë kontrolluam gjithçka, mund të bëhej avantazh më i thellë, kemi bërë në pjesën e dytë manovra jo të mira në sulm, qoftë si individ, qofte edhe nga këto të sapofutur, gjë që solli humbje energjish dhe manovrës së lojës. Por kjo, në raport me paraqitjet tona, jo të kundërshtarit. E them se goli i pësuar ishte një moment me humbje përqendrimi të krahut të majtë dhe mbulimi i lojtarëve në zonën e golit”.

Për golin e pësuar

“Momenti i golit ishte një humbje përqendrimi dhe i disa topave në krahun e majtë, ku ishim në zonën e ndërtimit. Ishte lëshim total i përqendrimit, e të gjithë treshes në krah se menduan t’ia linin njëri-tjetrit, kur duhej të ishin të interesuar që të bënin presion. Pastaj në dinamikë ishte veprim gabim i komplet pjesës tjetër të mbrojtjes në zonën e golit.

Të jesh në avantazh, në administrim, në të gjithë pjesën e parë, mund të shkonim më shpejt të goli, por gjendja jo e mirë fizike, lodhja te lojtarët që kanë luajtur në Europë 90 minuta si Vangjeli, Radas, Mici apo Soue, bëri që pjesa e dytë të shkonte në atë lloj mënyrë që ne u paraqitëm sot”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb