TIRANE – Gati 90% e treguesve të matur në indeksin e Dhomës Amerikanë kanë shënuar përkeqësim. Problemet kryesore mbeten niveli i përgjithshëm i taksave, monopoli dhe konkurrenca e pandershme dhe burokracia e qeverisë. Përkeqësohen ndjeshëm marrëdhëniet me autoritetet tatimore e doganore…

Treguesi i Indeksit të Besimit të Dhomës Amerikane (ABI) për vitin 2015 ka shënuar një rënie të ndjeshme me 4.83 pikë përqindjeje, duke zbritur nga 42.77 në 37.94 pikë. Kjo është hera e parë që ky indeks shënon rënie, që nga 2012-a, që është viti i parë kur u mat ky indeks. Për 2016-n pritet një përmirësim i lehtë në 40.61, por që mbetet gjithsesi nën nivelin e vitit 2014, kur ky tregues ka regjistruar nivelin më të lartë.
Indeksi mat elementët e rëndësishëm të tilla si politikat e qeverisë, nivelin e taksave, korrupsionin, informalitetin, zbatimin e ligjit dhe gjithashtu elementë lidhur me performancën e bizneseve dhe ekonomisë shqiptare.
Më shumë se 65% e anëtarëve të Dhomës Amerikane e kanë perceptuar klimën e biznesit në Shqipëri si të pafavorshme, ose shumë të pafavorshme, 5.2% e kanë konsideruar klimën si pozitive dhe 29.1% si neutral.
Tre shqetësimet kryesore të raportuar nga të anketuarit për vitin 2015 ishin “niveli i përgjithshëm i taksave të zbatuara” (26.89), “Monopoli dhe konkurrenca e pandershme” (27.8), “Burokracia e qeverisë” (28.17).
Perceptimi për nivelin e përgjithshëm të taksave të zbatuara është ulur gjatë vitit 2015. Rreth 70% e të anketuarve e konsiderojnë nivelin e përgjithshëm të taksave të zbatuara si të pafavorshëm ose shumë të pafavorshëm për bizneset, 26.5% e perceptojnë si neutral, ndërsa 3.8% si të favorshëm ose shumë të favorshëm. Ky është treguesi që ka shënuar dhe rënien më të madhe, nga 34.13 pikë në 2014-n në 26.89 në 2015-n.
Anëtarët e Dhomës Amerikane kanë perceptuar një përkeqësim të trendit të ekonomisë në 2015-n (31.44), krahasuar me 2014 (40.14). Ata presin që rritja ekonomike të ndryshojë sërish trend në 2016-n.
Nga 27 tregues që mat indeksi, vetëm 3 rezultojnë në përmirësim “rregulli dhe siguria në vend”, “niveli i ekonomisë informale” dhe ndryshimi total në punësim. Në indeksin e vitit 2014, niveli i ekonomisë informale kishte qenë shqetësimi kryesor, ndërsa në indeksin e këtij viti, ai është problemi i katërt më i madh.

Përkeqësohen ndjeshëm marrëdhëniet me tatimet e doganat
Marrëdhëniet me autoritetet doganore kanë pasur pikësimin më të lartë në indeksin e vitit 2014. Por në atë të 2015-n, ky tregues ka shënuar rënien më të fortë, duke zbritur nga 64.9 në 53.79. E njëjta tendencë është dhe për marrëdhëniet e biznesit me autoritetet tatimore, që kanë rënë nga 58.89 në 49.81.
Këto janë dhe dy treguesit që kanë shënuar rënien më të madhe në indeksin e vitit 2015.
Rënie kanë shënuar edhe tregues që më parë kishin pikët më të larta, si furnizimi me energji (që gjithsesi mbetet shqetësimi më i ulët i bizneseve), infrastruktura, marrëdhëniet me qeverinë lokale, me gjykatën, me ministritë etj.
Vëzhgimi bëhet eskluzivisht me anëtarët e Dhomës Amerikane, të cilëve u kërkohet opinion lidhur me ambientin e biznesit në Shqipëri gjatë vitit të kaluar (2015) dhe pritshmëritë për vitin aktual (2016). Ai u zhvillua online gjatë muajit shkurt 2016. Nga 137 anëtarë dhanë përgjigje 128 prej tyre.

Donald Lu: Jam i zhgënjyer nga rënia e ndjeshme e indeksit të biznesit të Dhomës Amerikane

donald lu
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, z.Donald Lu ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me rënien me gati 5 pikë përqindjeje të Indeksit të Biznesit të Dhomës Amerikane (ABI), të publikuar ditën e sotme.

Në fjalën përshëndetëse, botuar në fillim të Indeksit të Biznesit 2015-2015, z.Lu shprehet: “Unë mbeta i zhgënjyer kur vura re rënien e ndjeshme të ABI në 2015-n, nga 42.77 në 37.94”. Ai vijon më tej, duke inkurajuar qeverinë dhe gjithashtu edhe liderët e tjerë të biznesit që ta përdorin këtë raport, si një mjet të fuqishëm për t’u përqendruar dhe për t’i dhënë prioritet reformave për klimën e biznesit në Shqipëri.

Në letrën e tij ambasadori shprehet se gjithsesi raporti nuk është tërësisht një lajm i keq. “Unë jam i inkuarajuar që anëtarët e Dhomës Amerikane janë optimistë për vitin 2016, me pritshmëritë që ABI do të ringrihet në 40.61. Unë besoj se miratimi me sukses dhe zbatimi i reformës së sistemit gjyqësor, një angazhim për të pasur një regjim rregullator të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm dhe lufta e fortë kundër informalitetit dhe korrupsionit do të bëjnë që ABI të ketë një rritje edhe më të madhe sesa parashikohet në raportin e vitit të ardhshëm”.

Sipas z.ambasador, ABI jep një përmbledhje të shkëlqyer të pritshmërive të komunitetit shqiptar dhe të huaj të biznesit. Ai shton se Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të mbështesë Dhomën Amerikane dhe ABI dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me anëtarët në promovimin e interesave të komunitetit të biznesit të SHBA-ve në Shqipëri.

Pak ditë më parë, edhe zëvendësambasadori amerikan, David Muniz, në një takim të organizuar nga Shoqata e Investitorëve të Huaj shprehu shqetësimin për përkeqësimin e klimës për të bërë biznes në Shqipëri. Ai tha se “investitorët që kanë dashur të investojnë në Shqipëri janë frikësuar dhe kanë ikur”.

“Procedurat gjyqësore janë të thjeshta, detyrimet e borxheve janë një problem. Kompanitë amerikane kanë bllokuar planet për investime për shkak të zvarritjeve gjyqësore. Drejtësia nuk po bëhet. S’bëjnë investime, sepse nuk kanë siguri, ka edhe investitorë me përvoja të këqija. Edhe pronat janë probleme, me mbivendosjen e titujve të pronësisë”,- ka deklaruar Muniz. (monitor)
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb