KRUJE-“Ftoj qytetarët që në datën 24 t’i bashkohen fillimit të aksionit tonë 6 mujor për pastrimin e Shqipërisë”. Eshtë ky apeli i ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë aksionit për pastrimin e Krastës e rrugës mes Fushë- Krujës dhe Krujës organizuar me të rinjtë e Korpusit të Vullnetarëve dhe përfaqësues të bashkisë Krujë.

Pasi theksoi se është e pafalshme që një prej qyteteve më turistike të vendit të jetë i rrethuar nga mbetjet, ministri Klosi u shpreh se krahas vullnetarizmit do të projektohet edhe një plan më i gjerë për pastrimin e zonës nga prodhuesit e papastërtive edhe në kuadrin ligjor.

“Është e paimagjinueshme që në zonën më turistike të Shqipërisë që pret shumë turistë të ketë një papastërti kaq të madhe, prandaj jemi këtu për të bërë një ditë aksion për të ftuar qytetarët që në datën 24 t’i bashkohen fillimit të aksionit tonë 6 mujor për pastrimin e Shqipërisë, në një ditë vullnetarizmi në të gjithë vendin dhe po ashtu për të projektuar në mënyrë të detajuar së bashku me përfaqësuesit e pushtetit lokal sesi ne të bëjmë një aksion ndërhyrjeje shumë të fortë në këtë zonë për të bërë një pastrim nga mbeturinat që vijnë nga shfrytëzuesit e bukurive natyrore, pra nga guroret për të parë mundësinë e eliminimit të të gjitha burimeve të papastërtive, për të projektuar së bashku me forcat e tjera ndërhyrjet emergjente, për të pastruar, rehabilituar por më shumë se kaq për të mos lejuar më që papastërtitë të ndodhin. Kur shikojmë këtu në këtë grumbull papastërtish, në një zonë fare të dukshme nga rruga, kuptojmë që kemi shumë për të bërë edhe në kuadër të legjislacionit”-u shpreh ministri Klosi.

Duke qëndruar në përmirësimin dhe zbatimin e kuadrit ligjor ministri Klosi tha:”Papastërtitë e vërejtura këtu janë të gjitha qese që me vendim të Këshillit të Ministrave prej 5 vitesh, s’duhet të ishin prodhuar fare në Shqipëri. Ndaj kërkojmë jo vetëm të bëjmë aksion, por edhe të kuptojmë shkaqet se nga vijnë këto papastërti për t’i eliminuar ato plotësisht”.

Në aksionin për pastrimin e zonës së Krastës dhe rrugës mes Fushë- Krujës dhe Krujës morën pjesë rreth 100 persona, vullnetarë të shkollave të Krujës, nëpunës të bashkisë së Krujës e Fushë-Krujës si dhe punëtoret e ndërmarrjeve të qytetit. Aktiviteti ishte një bashkëorganizim i Bashkisë së Krujës dhe lëvizjes vullnetariste Korpusi Shqiptar i Vullnetarëve të cilët të gjithë së bashku punuan për rreth 4 orë duke mbledhur mbi 500 thasë me mbeturina në një zonë tejet të ndotur nga hedhja e mbeturinave nga kompani apo njësi tregtare të qytetit, por edhe nga drejtuesit e automjeteve që kalojnë në këtë rrugë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: