Nga: Fatmira Nikolli

Koncerti i datës 2 janar në Pallatin e Kongreseve që violinisti Shkëlzen Doli dhe Ansambli i Filarmonisë së Vjenës do interpretojnë para publikut shqiptar, është padyshim një lajm i mirë për kulturën në vendin tonë. Tirana, sikundër ka shënuar edhe Ministria e Kulturës, për një ditë do të bëhet qendra e re e performancës madhështore të “Koncertit të Vitit të Ri vjenez”. Veçse, në këtë pikë, duhet sqaruar se në Tiranë vjen Ansambli i Filarmonisë së Vjenës dhe jo Filarmonia e Vjenës, pra vjen një pjesë e Filarmonisë dhe jo e gjitha. Violinisti Shkëlzen Doli do të performojë së bashku me Ansamblin më datë 2 Janar 2017 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë ora 20:00.

“Gazeta Shqiptare” i është drejtuar Ministrisë së Kulturës për të ditur “nëse koncerti i datës 2 janar në Tiranë, është një koncert zyrtar i instrumentistëve të Filarmonisë së Vjenës në Tiranë apo është privat”. Në përgjigje, zyra e shtypit të kësaj ministrie ka bërë me dije se “Philharmonic Ensemble Vienna – Ansambli i Filarmonisë së Vjenës është pjesë e Orkestrës Filarmonike të Vjenës. Instrumentistët e këtij Ansambli janë instrumentistë të Filarmonisë së Vjenës”. Ndërsa, pyetjes se cili është ndryshimi mes Filarmonisë së Vjenës dhe Ansamblit të Filarmonisë, MK i është përgjigjur: “Diferenca është në numrin e instrumentistëve. Kuptohet që Orkestra e Filarmonisë ka një numër shumë të madh instrumentistësh. Ansambli i Filarmonisë së Vjenës që vjen në Tiranë përbëhet nga 40 instrumentistë”, nga më shumë se 100 që ka Filarmonia.

Ndërkaq, në përgjigje të interesimit të GSH, Ministria e Kulturës sqaron se koncerti “do të zgjasë 90 minuta, me ndërprerjen prej tri prezantimesh të videove që janë xhiruar në: Shqipëri, Kalabri dhe Kosovë”. Ndërsa, programi i koncertit të Tiranës, është pak a shumë si ai i Vjenës: përfshin Johann e Josef Strauss, Franz Lehar, Johannes Brahms, pra polka, vals, si edhe interpretimi i Marshit të Radezky-t dhe Danubit Blu.

ÇMIMET E BILETAVE
Sipas organizatorëve të koncertit, linku për biletat online do të postohet në web-e para orës 10:00 të datës 17 Dhjetor, por vetëm 10% e biletave do të shiten online. Shitja e biletave do të fillojë sot, ditë e shtunë më datë 17 Dhjetor 2016, ora 10:00 pranë sportelit të Pallatit të Kongreseve si dhe online në të njëjtën kohë çmimet e biletave janë: 3000, 5000, 6000 dhe 7000 lekë të rinj. Sipas njoftimeve zyrtare, kjo nismë artistike ka gjetur mbështetjen e autoriteteve më të larta të të dy vendeve, Shqipërisë dhe Austrisë, e që kryesohet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë si dhe partnerëve të tjerë publikë e private që i janë bashkuar këtij projekti. “Ministria e Kulturës e ka vendosur që në krye të herës komunikimin kulturor si mënyrën më të mirë e më të sigurt të integrimit në Europë, duke e futur Shqipërinë në axhendat më të rëndësishme kulturore ndërkombëtare”, thuhet në një njoftim shpërndarë mediave gjatë javës.

Çfarë janë filarmonitë e ansamblet?
Muzikologët sqarojnë se filarmonitë u krijuan si shoqëri muzikore. Simboli i tyre ishin orkestrat filarmonike, si bashkësi ansamblesh muzikore të grupuara sipas specifikave të ndërtimit të veglave. Kështu në orkestrën simfonike kemi ansamblin e harqeve të përbëra nga violinat e para, të dyta, violat, violonçelat dhe kontrabasat; të drunjtat që janë flauti pikolo, flauti i parë, i dytë, oboe e parë e dytë, klarinetë e parë e dytë, fagot i parë dhe i dytë. Tunxhin, të përbërë nga katër kornot, tre trompat, tre trombonat dhe tuba. Së fundi, grupi i perkusionit i përbërë nga timpanët, grand kasa, tamburo militare, triangolo etj. Ansamblet janë brenda një lloji sa më sipër, për shembull kuartet harqesh, ose kuintet fryme, ose me përzierje mes tyre- harqe me pak frymë, ose edhe me piano.

ZYRTARISHT
Përveç koncertit të datës 1 janar, Filarmonia e Vjenës jep koncerte në kuadrin e “Javëve të Filarmonisë së Vjenës” që prej vitit 1989 në Nju-Jork dhe 1993 në Japoni. Po ashtu orkestra e Filarmonisë së Vjenës jep edhe koncerte verore në kështjellën Schönbrunn, që ndiqen nga rreth 100.000 vizitorë.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: