TIRANE – Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi mori pjesë në një konferencë me studentët e Universitetit të Tiranës.

Ajo u bëri thirrje studentëve që të mos heqin dorë nga ëndrrat e tyre duke u larguar nga vendi.

Kryemadhi gjithashtu tha se shkak i problemeve më të mëdha në vend, si shpopullimi, është kryeminstri Edi Rama.

“Energjia juaj do e ndalojë këtë njeri, që përveç se e urren po e shet Shqipërinë,” tha Kryemadhi.

“Jeni mbi 1000 studentë që keni ardhur në një aktivitet politik. Takimin me ju e kemi se ndjejmë një problem shumë të madh, një rrezik për Shqipërinë, për të ardhmen e vendit. Rreziku më i madh fillon te humbja e shpresës së rinisë shqiptare, te shkatërrimi i ëndrrave të tyre. Çdo  ditë e më shumë ku takoj njerëz, kuptoj që Edi Rama ka një plan biznesi për të shpopulluar Shqipërinë, e për të larguar rininë shqiptare. Ky është një sinjal i rëndë për ne, thirrje e tmerrshme për ne. Secili duhet të marrë përgjegjësi për të zgjuar krenarinë kombëtare. Kjo është e tmerrshme. Një shqiptar nuk mund t’ja bëjë një shqiptari këtë. Ne sot të zhveshur nga bindjet politike, po ju drejtohemi juve studentëve, se jeni lodhur nga politika e mashtrimet e politikës, po ju drejtohem me dorë  në zemër, mos ndaloni, mos u tërhiqni, mos u nënshtroni nga padija, dhuna, ligësia se vetëm të gjithë bashkë do fitoni një Shqipëri që e meriton të jetë vendi i të rinjve dhe të rejave. Sfida të mëdha do keni përpara, do t’ju kërcënojnë, do t’ju dhunojnë, do tentojnë t’ju intimidojnë dhe t’ju blejnë po mos e shisni të ardhmen. Ndërtoni lumturinë tuaj duke dashur vendin tuaj.  Energjia juaj do e ndalojë këtë njeri, që përveç se e urren po e shet Shqipërinë,” u shpreh kryetarja e LSI-së.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: