LEZHE – Kundërshtimet për vendosjen e pllakatit të Sulltan Sulejmanit, në hyrje të Kalasë së Lezhës, i kanë kushtuar vendin e punës përgjegjësit të Kulturës Kombëtare në qarkun e Lezhës, Paulin Zefi. Mësohet se Zefit e ka mbërritur një shkesë nga Drejtoria e Kulturës Kombëtare në Shkodër, ku i kërkohet të zgjidhë kontratën e punës me argumentin e thyerjes së disiplinës.

Historiani Paulin Zefi doli kundër vendosjes së pllakatit në osmanisht në hyrje të Kalasë dhe bëri thirrje të hiqej që andej dhe të ruhej në një vend të sigurt që të mos dëmtohej.

“Problemi ishte te kundërshtimi im i hapur nëpërmjet argumenteve të mia shkencore për vendosjen e gabuar të pllakatit me mbishkrim në osmanisht mbi portën e brendshme të Kështjellës së Lezhës, dhe ky qëndrim i hapur kundër vendimit të gabuar nga ana e Ministrisë së Kulturës, më ka kushtuar edhe dy masa të tjera disiplinore që s’kanë asnjë lloj baze dhe etike profesionale. Kam mbuluar në mënyrë intensive të gjitha monumentet e qarkut Lezhë, me një pagë e cila s’më mbulonte as shpenzimet dyjavore në shërbim të kësaj pune”, – u shpreh Paulin Zefi.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: