TEPELENE- Një 83-vjeçar ka humbur jetën pasi kasollja në të cilën flinte ishte përfshirë nga zjarri. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 07:50 në një stan bagëtish në fshatin Lekël të Tepelenës.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se ka humbur jetën shtetasi Alisha Mullaraj, bari në këtë stan. Gazetarja Brikena Metaj raporton për ‘BalkanWeb’ se viktima punonte prej 10 vitesh si bari në këtë stan, ndërsa i vetmi që kujdesej për të ishte pronari i stanit.

Po ashtu ‘BalkanWeb’ ka mësuar nga burime zyrtare se i moshuari ka ndezur një natë më parë zjarr për t’u ngrohur ndërsa ka marrë flakë sfungjeri që përdorte si dyshek, si pasojë e erës së fortë.

tepelene-alisha-mullaraj

NJOFTIMI I POLICISË
Në datën 16.03.2018, në orën 07:50, gjatë natës në afërsi të fshatit Lekël, Tepelenë, në një stan bagëtish është djegur kasollja ku brenda saj ka qënë dhe është djegur bariu, shtetasi A.M rreth 80 vjeç, banues në Hormovë.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë me grupin hetimor, ku paraprakisht dyshohet se kasollja ka marrë flakë nga zjarri që viktima përdorte për t’u ngrohur.

Vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb