TIRANE – Piloti italian Guido Andrea Guidi është ‘dorëzuar’ përpara policisë dhe ka pranuar se ka ardhur në Shqipëri për të provuar pistën e improvizuar në grykederdhjen e Ishmit, për tu kthyer një muaj më vonë me qëllim transportimin e 200 kg lëndë narkotike. “News24” dhe “BalkanWeb” kanë zbuluar se piloti italian ka deklaruar në polici se e kishte ulur sot avionin në Ishëm për të provuar terrenin dhe më pas do të largohej.

Dëshminë e pilotit e bëri publike pak më parë në emisionin “Opinion” edhe gazetari Artan Hoxha i cili deklaroi: “Nuk e vë në dyshim që ky avion ka ardhur për të tentuar të transportojë një ngarkesë lënde narkotike. Është një formë transporti e njohur. Grupet e fuqizuara kriminale i kanë potencialet për ta bërë këtë gjë. Gjatë deklarimeve që ka dhënë sot pasdite shtetasi italian, ai ka deklaruar se kam ardhur në Shqipëri për të provuar nëse funksionon pista. Kam ardhur për të provuar pistën dhe plani im ka qenë që të kthehem dhe të transportoj një sasi prej 200 kg drogë.”

Ndërkohë, sipas dëshmisë së dhënë për prokurorët e Krimeve të Rënda, piloti italian ka mohuar të ketë lidhje me trafikun e drogës.
“U nisa në mëngjes nga Bari dhe do të udhëtoja për në veriun e Italisë. Meqë koha ishte e mirë, atëherë vendosa të bëj një shëtitje mbi hapësirën ajrore shqiptare. Nuk i lajmërova autoritetet ajrore, pasi ishte një fluturim për turizëm. Kur ndodhesha afërsisht 5 mijë këmbë lartësi avioni pësoi defekt dhe po shihja mundësinë të ulesha. Nga lart dallova hapësirën që mu duk e përshtatshme për të bërë uljen. Në momentin që preka tokën, rrota e avionit u këput dhe mjetin u përplas”- deklaroi piloti 69-vjeçar.

Prokurorët e krimeve të rënda, konstatuan në vendin ku ra avioni, një pistë me gjatësi 1.5 deri në 2 kilometra, e cila rezulton të jetë punuar dhe sheshuar me mjete të tonazhit të rëndë ditët e fundit. Kjo bën që dyshimet e prokurorëve, për një rrjet trafiku drogë të shtohen ndjeshëm.

Nga hetimet e para rezulton se avioni ka mbërritur në Godull në orën 08.45. në momentin e uljes, rrota ka pësuar dëmtime, por pavarësisht kësaj ekspertët thonë se piloti ka tentuar të largohet. Por gjatë kësaj tentative, ai ka dështuar, pasi rrota e avionit është këputur dhe mjeti ka rrëshqitur në gjendje të lirë përgjatë afro 100 metrave dhe ka ngelur në disa shkurre pikërisht në grykëderdhjen e lumit Ishëm.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb