NGA ORNELA MANJANI*

TIRANË- Bizneset që operojnë në sektorin e turizmit rrezikojnë të dënohen me gjobë nga 50.000 deri në 200.000 mijë lekë. Masat shtrënguese për respektimin e kushteve dhe masat lehtësuese për investitorët, duke u vënë në dispozicion tokën shtetërore me 1 euro për 99 vjet, janë parashikuar në draftin e ri. Sipas draftit që është dorëzuar në Kuvend, përdorimi i paautorizuar i shenjave dalluese të klasifikimit, të strukturave akomoduese dënohet me gjobë 150.000 lekë, ndërsa ushtrimi i veprimtarisë pa licencën përkatëse dënohet me gjobë 200.000 lekë.

Zonat turistike
Në ligjin e ri për turizmin është parashikuar që në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, shteti të marrë rolin e zhvilluesit si dhe të përfshihet në forma të ndryshme partneriteti. Pasuritë e paluajtshme në pronësi të shtetit apo të njësive të qeverisjes vendore, që ndodhen brenda zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, brenda dy muajve nga miratimi i zonës, kalojnë në administrim të ministrisë përgjegjëse për turizmin. Sipas draftit, ministria përgjegjëse për turizmin nënshkruan marrëveshje zhvillimi me investitorët në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, në të cilën parashikohen të drejtat dhe detyrimet e palëve. Në rastin e investimeve në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, parashikohet vënia në dispozicion e pasurisë së paluajtshme për ndërtimin e strukturave akomoduese dhe strukturave të tjera turistike. Kohëzgjatja e vënies në dispozicion është deri në 99 vjet. Vënia në dispozicion e pasurive të paluajtshme shtetërore mund të bëhet edhe nëpërmjet kontratës simbolike 1 euro.
Kriteret
Në draftin që do të diskutohet në Kuvend janë parashikuar kriteret për ndërtimin e strukturave akomoduese, me qëllim që standardet të zbatohen që në fazën e ndërtimit të strukturave të reja. Klasifikimi dhe kategorizimi i strukturave akomoduese është kusht detyrues për ushtrimin e veprimtarisë akomoduese. I gjithë ky proces klasifikimi rregullon tregun hotelier, jo vetëm për sa i përket rritjes së konkurrencës së ndershme midis bizneseve, por edhe rritjes së cilësisë së shërbimeve që u ofrohen konsumatorëve, duke i mbrojtur këta të fundit nga mashtrimet, falsifikimet etj. Strukturat akomoduese nuk do reklamojnë më nivele klasifikimi sipas dëshirës së tyre, pa përmbushur asnjë standard. Për shembull, një turisti në një hotel të klasifikuar me “3 Yje”, do t’i ofrohen shërbime të atij standardi, sepse kjo strukturë i është nënshtruar një procesi zyrtar klasifikimi, pas të cilit ka rezultuar se plotëson standardet e këtij niveli.
Brenda 18 muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit, të gjitha strukturat akomoduese ekzistuese do të klasifikohen. Pas kësaj periudhe, asnjë strukturë akomoduese nuk do të lejohet të ushtrojë veprimtarinë pa marrë certifikatën e klasifikimit.
Çdo strukturë akomoduese do të riklasifikohet një herë në 4 vjet.
I gjithë procesi i klasifikimit do të udhëhiqet nga Komisioni i Standardizimit të Veprimtarive Turistike, ngritja e të cilit parashikohet në këtë ligj.
Inspektimi
Inspektorati kontrollon zbatimin e kritereve dhe kushteve nga subjektet që ushtrojnë veprimtari turistike, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, akteve nënligjore në zbatim të tij dhe akteve të tjera ligjore në fuqi, dhe kontrollon e inspekton mjediset ku realizohet veprimtaria turistike. Gjithashtu, inspektorati që do të ngrihet për mirëfunksionimin e operatorëve turistikë kontrollon dhe merr masat për shkeljet e konstatuara nga subjektet që ushtrojnë veprimtari turistike, në përputhje me dispozitat e këtij ligji. Kjo strukturë mbledh dhe administron dokumentacionin e plotë përkatës, përfshirë dokumente elektronike, të cilat kanë të bëjnë me objektin e kontrollit, dhe vendos gjoba e masa të tjera administrative ndaj personave fizikë a juridikë, kur vëren shkelje të dispozitave të këtij ligji.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: