Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, në një intervistë për Top Channel nga Athina, foli për kërkesën që presidenti Pavllopulos i bëri për varrezat greke. Ai theksoi se për këtë çështje do të rimblidhet komisioni i përbashkët. Teksa u ndal tek kerkesa e presidentit grek për varrezat, Meta pohoi se kjo gjë mund të realizohet, pasi Shqipëria është një vend me standarde ndërkombëtare.

Presidenti i Greqisë, Pavlopoulos, ju kërkoi përfundimin e procesit për ndërtimin e varrezave greke. Por a mund të jepni ju sot ju përgjigje për këtë, apo do të konsultoheni me Kryeministrin Rama?
Unë besoj se kjo kërkesë e bërë nga Presidenti i Greqisë ka gjetur një zgjidhje në vetë marrëveshjen midis dy vendeve dhe dy qeverive në fillimin e këtij procesi që ka nisur prej kohësh dhe në vazhdimësinë e tij. Më lejoni t’ju kujtoj që vetëm pas pak kohësh do të rimblidhet komisioni i përbashkët për këtë çështje. Ne jemi një vend demokratik, jemi një vend evropian, ka standarde ndërkombëtare, të cilat jemi angazhuar që t’i respektojmë dhe në këtë drejtim besoj se do të ecet me vullnet pozitiv për të respektuar këto ndjeshmëri.

Folët dje për qasje të ndryshme mes dy vendeve për çështjen çame. Por cila është qasja juaj si kryetar i Kuvendit dhe si Kryetar i LSI-së?
Unë këtu jam si Kryetar i Kuvendit me një delegacion të gjerë përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë në vizitën zyrtare pikërisht për të demonstruar vullnetin e Kuvendit të Shqipërisë për të kontribuar për një klimë sa më konstruktive dhe mirëbesuese në marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Klimë që nuk është vetëm detyrë e qeverive, të cilat shpesh janë edhe në presione të ndryshme nga faktorë parlamentar, publik në vendet respektive. Pikërisht me qëllim për të krijuar një terren sa më të qëndrueshëm, i cili në radhë të parë na lejon të shfrytëzojmë gjithë potencialet ende të pashfrytëzuara për të prodhuar më shumë rezultate në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë në interes të dy vendeve dhe të qytetarëve tanë. Njëkohësisht për të krijuar një terren sa më të qëndrueshëm për të diskutuar në mënyrë konstruktive edhe shumë çështje që i trashëgojmë dhe i mbartim nga një e kaluar e vështirë, siç ishte edhe çështja që ju sapo përmendët, por edhe çështje të tjera, përfshirë këtu padyshim, sipas mendimit dhe vlerësimit tim, edhe si Kryetar i Kuvendit edhe çështjen “Çame” apo zgjidhjen përfundimtare të abrogimit të ligjit të luftës me Shqipërinë, çështjet e të drejtave të shqiptarëve që kanë jetuar në Greqi

Dhe meqë jemi këtu çfarë po negociohet mes jush dhe palës greke për ligjin e luftës?
Nuk është çështje negocimi. Jemi në një moment mjaft pozitiv të bashkëpunimit ndërparlamentar dhe ndërinstitucional midis dy vendeve, në radhë të parë për të dhënë kontributin tonë maksimal për të krijuar një atmosferë sa më pozitive, larg tensioneve artificiale. Njëkohësisht për të dhënë mesazhin e qartë ndaj cilitdo se marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë jo vetëm duhet të jenë një model për të gjithë marrëdhëniet rajonale në këto kohë sfidash në rritje për vendet tona dhe për rajonin tonë, por njëkohësisht duhet të krijojmë sa më shumë lehtësi praktike për të gjithë qytetarët tanë në interes të tyre. Në qoftë se kemi në konsideratë faktin që pavarësisht nga niveli i kënaqshëm i integrimit të qindra mijëra emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Greqi, përsëri ende ka disa probleme dhe disa vështirësi praktike që ne shpresojmë të zgjidhen dhe të lehtësohen sepse në fund fare, këto marrëdhënie, këto shkëmbime duhet të reflektojnë në përmirësimin e jetës dhe të shërbimit ndaj qytetarëve tanë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: