TIRANE- Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti nënshkroi sot në Tiranë, një marrëveshje me Organizatën për Bujqësi dhe Ushqim (FAO), për hapjen e zyrës së përfaqësisë së kësaj organizate në Tiranë.

Në ceremoninë e nënshkrimit drejtori Rajonal i FAO-s, për Evropën, Tony Allonzi u shpreh i kënaqur për arritjen e kësaj marrëveshjeje dhe vuri në dukje rolin e kësaj zyre në Shqipëri, për rritjen e mbështetjes dhe asistencës teknike ne bujqësi dhe agrikulturë, në koherencë me zhvillimet klimaterike dhe teknologjike.

“Kemi punuar për këtë prej shumë kohësh dhe jam shumë i lumtur që sot po nënshkruajmë marrëveshjen që FAO do të jetë prezente në Shqipëri, nëpërmjet zyrës saj. Marrëveshja është e bazuar në 4 priorirtete. E para është menaxhimi i burimeve natyrore. Do të punojmë gjithashtu edhe për përballimin e fatkeqësive natyrore, për ti dhënë mbështetje Ministrisë për të përballuar situate të vështira si ato të përmbytjeve. Do të mbështesim gjithashtu rolin e gruas në agrikulturë si dhe do të punojmë për përafrimin e politikave bujqësore dhe zhvillimit rural me standardet europiane. Ne jemi gati që të ndihmojmë Ministrinë në të gjitha këto fusha, si dhe në çdo sektor ku do të nevojitet ndihma dhe mbështetja jonë”, tha Allonzi.
Ministri Panariti vlerësoi këtë mbështetje për zhvillimin e bujqësisë, duke siguruar edhe përkrahjen e Qeverisë shqiptare. Ministri i Bujqësisë theksoi se, sfida e radhës është që këtë zyrë ta fuqizojmë, në mënyrë që ajo të luajë një rol jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.

“Nënshkrimi I kësaj marrëveshje merr një rëndësi të veçantë, pasi ky vit është I veçantë në kuptimin e bashkëpunimit midis qeverisë shqiptare dhe kësaj organizate. Për herë të parë Organizata Botërore e Bujqësisë dhe Ushqimit përfaqësohet në Shqipëri me një zyrë permanente. Ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Kjo është një rritje e shtuar e interesit të FAO-s për të nxitur projektet e bujqësisë dhe ushqimit në Shqipëri, por edhe në të gjithë rajonin. Kjo tregon vullnetin e kësaj organizate prestigjioze për të qenë një mbështetëse dhe bashkëudhëtare e zhvillimit të bujqësisë dhe sektorit të ushqimit në Shqipëri, drejt ambicies sonë finale për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian”, tha Panariti.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: