TIRANE – Nderim Nexhipi dhe Gilberto Fortunato nuk i janë shmangur dot pyetjeve për derbin. Ish-kapiteni i të kuqve, që u kthye në makth për rivalët bardheblu, dhe ish-sulmuesi i Tiranës, që ka vulosur fitoren e fundit në një derbi 961 ditë më parë, kanë folur rreth derbit të 147-të në histori, që do të zhvillohet sot në “Elbasan Arena”.

Nexhipi, që luan këtë sezon për Korabin në superiore, thotë se të kuqtë do të fitojnë 1-0. “Fiton Partizani 1-0 me gol të Emiljano Vilës. Është një atomosferë që e ndjej shumë pranë vetes, ndonëse nuk jam më pjesë e Partizanit. Skuadra ka disa probleme me sulmin pasi nuk është më Raçiç e Sukaj, por sërish do ta fitojë Partizani, pasi Tirana vuan psikologjikisht ndaj Partizanit. Vetë nuk do të jem në stadium, por do ta ndjek ndeshjen nga tv pasi vuaj shumë ta shoh nga stadium. Sa për tifozët, nuk kam pikë dyshimi. Ata do ta mbushin stadiumin dhe do jenë si gjithmonë lojtari i 12-të i ekipit,” është shprehur Nderim Nexhipi, që emocionet e mëdha nuk do ta lejojnë që të shkojë në stadium, pasi në 6 derbi të luajtur, me 3 golat e tij ka qenë vendimtar në një barazim e dy fitore.

Ndërkohë, Gilberto Fortunato ndodhet në Brazil, pa skuadër dhe në pritje të një oferte, por derbin edhe ai i ndjen. Më 7 shkurt të vitit 2014, gjysmëkthesa e tij id ha fitoren e fundit në një derbi Tiranës, që ende sot, 961 ditë më pas, nuk ka mundur dot të triumfojë ndaj Partizanit. “Më vjen mirë që ende kujtohem për atë gol, por më vjen keq për tifozërinë që meriton më shumë sesa kaq. Derbi i Tiranës është elektrizues dhe unë kam patur fatin ta provoj. Besoj se kësaj radhe do të fitojmë ne 3-1 dhe golat do t’i shënojnë Muça, Taku dhe Vucaj. Jam i bindur se pas ndeshjes së sotme, derbi nuk do të jetë më një tabu”.
(J.Selimi/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb