Nga Julian Zyla

“Kur mendoj protestat e veçuara në të cilat kam marrë pjesë përgjatë viteve,” shkruan aktivisti George Lakey, “nuk më kujtohet asnjë prej tyre që të ketë ndryshuar ndonjë gjë. Dështimi vërtet spektakolar ishte protesta më e madhe në histori, në shkurt 2003. Iu bashkova miliona njerëzve nga e gjithë bota në prag të luftës së George W. Bush ndaj Irakut. Arritëm të merrnim një titull të madh në faqen e parë të New York Times, por Bush mjaftoi të priste që ne të shkonim në shtëpi.”

Sipas një përkufizimi, protestë është një kundërshtim formal, zakonisht, i një grupi. Ndërsa, fushatë, një seri veprimesh për të arritur një qëllim të caktuar. Cila nga të dyja mund t’i duhet opozitës shqiptare?

Momentet më të mira politikisht së fundmi të z. Basha, ishin pikërisht momentet gjatë fushatës (së detyruar) parazgjedhore. Por, kur njerëzit nisën ta dëgjonin mesazhin e tij të ri, mbaruan zgjedhjet dhe me to u ndërpre edhe fushata. Optimizmi, gjuha dhe ngjyrat pozitive të spoteve i lanë vendin retorikës dhe teknikave të paraardhësit të tij, Berisha.

Konkretisht, çfarë mendon se do të arrijë opozita me protestën? Rama, si herët e tjera, do të presë që protestuesit të shkojnë në shtëpi. Pastaj çfarë, do të ketë protestë tjetër? Po pastaj, çfarë? Sa njerëz mendon se do të konvertojë opozita duke bërë të njëjtat veprime e duke thënë të njëjtat fjalë? Deklarohen objektiva, por a munden protestat t’i arrijnë ato objektiva?

Nëse protesta kthehet në qëllim në vetvete, do të shihet vetëm nëse opozita do të arrijë apo jo të mbledhë njerëz në shesh. Nëse nuk do të mbledhë, do të jetë objekt talljeje ose analizash kritike. Nëse i mbledh, asgjë: Urime. Atëherë, pse ky autotest? A ka vërtet rëndësi organizimi i njerëzve në shesh? A mund të jetë vërtet një mesazh aq i rëndësishëm?

Opozita vazhdon ta quajë protestë të njerëzve, por vendimi për datën 27 nuk erdhi nga njerëzit. …Dhe njerëzit këtë e kuptojnë. Është një organizim politik. Nuk ka asgjë të keqe. Por a mos vallë është një shpërdorim i energjive?

Opozita duhet të nisë fushatën! Dhe fushata është ndryshe nga një protestë, apo një seri protestash. Objektivat janë gati. I duhet një fushatë politike që të mund të motivojë e të frymëzojë drejt arritjes së këtyre objektivave. Fushata mund të përmbajë ose jo protesta, por ato duhet të jenë të parashikuara thjesht si një nga elementët e tjerë të mire përcaktuar.

Së pari, fushata të detyron të përgatisësh në detaje një mesazh frymëzues. Dhe nuk ka mesazh frymëzues që të mund të përmbajë fjalë si “puç kushtetues” apo “të shporrim”. Z. Basha thotë se mesazhi më i fortë do të jetë pjesëmarrja e shqiptarëve në protestë. Por ai është një mesazh i fundëm, abstrakt, i vështirë për t’u kuptuar e përsëritur. Opozitës i duhet një mesazh politik pozitiv e që frymëzon drejt së ardhmes.

Së dyti, duhet përshtatur fushata me protagonistin e fushatës. Demokratët amerikanë e kishin të lehtë të kuptonin se Barack Obama dhe Hillary Clinton ishin të ndryshëm. Obama ngrinte peshë qindra mijëra njerëz me fjalimet e tij. Për Hillary Clintonin, edhe pse kjo mund të mos ishte e pamundur, duket që është menduar se komunikimi i saj ishte më efektiv në mjedise më të ngushta, më intime, në formën e bisedave. A është Basha në maksimumin e komunikimit të tij në miting?

Z.Basha duhet të vendosë se në cilin format është më efektiv. Një ndihmë: jo në ato të z. Berisha. Ky nuk është disavantazh. Thjesht përshtaten mjetet me personin.

Së treti, opozitës i duhet të grumbullojë besueshmëri. Kur z. Rama postoi para disa javësh në rrjetet sociale një video që bënte thirrje për aksion në ndihmë të mjedisit, z. Basha mund të përfitonte duke e shpërndarë videon në shenjë mbështetjeje. “Nuk jam dakord me të gjitha fjalët politike të zgjedhura nga Kryeministri, por mjedisi ka nevojë për të gjithë ne,” mund të shprehej Basha, duke treguar se nuk e kundërshton gjithmonë qeverinë. Kështu, kundërshtimet do të merrnin peshë më të madhe.

Gjithashtu, nuk mbetet kredit politik nëse ai përdoret i gjithi duke kërkuar rrëzimin e qeverisë për çdo lëvizje të saj, qoftë edhe për çdo faj të saj. Shqiptarët, jo opozita, duhet të mendojnë e të kërkojnë rrëzimin e qeverisë. Nëse opozita nuk arrin t’i çojë në këtë mendim, ndryshimi nuk do të ndodhë.

Opozita duhet të kuptojë që nuk ka nevojë për njerëzit në shesh që të ketë legjitimitetin e mbështetjes së tyre. Mjafton që të komunikojë vazhdimisht gjërat që njerëzit i mendojnë vërtet. Në të kundërt, edhe me përkrahësit e vetë të mire organizuar, protestat do të ndryshojnë pak ose aspak.

Protestat e veçanta, edhe nëse ushtojnë apo përsëriten pak herë, nuk arrijnë objektiva. Fushatat, të cilat shpesh nuk u kërkojnë mbështetësve veprime si pjesëmarrja fizike, janë gjithëpërfshirëse, konsistente dhe më efektive.

Një protestë mbaron. Do të analizohet nëse organizatorët dhe pjesëmarrësit ishin civilë dhe nëse autoritetet ruajtën rendin. Por nëse një opozitë arrin të nisë një fushatë 360 gradë, është e vështirë për këdo president apo kryeministër të presë që njerëzit të shkojnë në shtëpi. /Gsh.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb