TIRANË- Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo ka deklaruar sot se ka një plan konkret masash për rregullimin e trafikut në kryeqytet dhe ka dhënë sqarime për dhënien me koncesion të parkimeve publike. Bozdo ka deklaruar se asnjë prej qytetarëve rezidentë në Tiranë nuk do të paguajë për parkimin, pasi do të pajisen me leje të posaçme. Po kështu Bozdo tha se nuk favorizohet asnjë kompani për dhënien me koncesion dhe gara do të jetë e hapur për këdo që është i interesuar.

“Trafiku dhe transporti në qytetin e Tiranës është një problem i madh dhe i trashëguar në vite. Për zgjidhjen e këtij problemi dhe pasojave që trafiku i rënduar ka në xhepat dhe në shëndetin e qytetarëve të Tiranës, Bashkia e Tiranës ka hartuar një plan konkret i cili përbëhet nga investimet në ndërtimin e rrugëve të reja dhe riparimit të rrugëve ekzistuese; përmirësime në transportin publik, në autobus dhe me biçikleta, duke shtuar 5 km korsi të dedikuar për autobusët dhe 29 kilometra për biçikletat; programi i menaxhimit të trafikut dhe parkimeve, i cili përmban: Menaxhimin e trafikut dhe lëvizshmërisë të automjeteve brenda Tiranës nëpërmjet Qendrës së Kontrollit të Trafikut që menaxhon 64 nyje semaforike dhe 150 sensorë në akset kryesorë të Tiranës. Po kështu një ndër elementët e planit të masave është ngritja e stacionit unik të transportit publik soe Terminali Multimodal i Tiranës, i cili do lehtësojë çdo ditë trafikun në Tiranë me 6 mijë mjete të transportit publik, duke iu rikthyer mbi 3 kilometra linjë parkimit qytetarëve që aktualisht zihet nga autobusët dhe furgonët, dhe duke i kursyer qytetarëve 6 ton dioksid karboni në ditë. Ky projekt i hartuar me BERZH, që nuk i kushton asnjë qindarke qytetarëve të Tiranës dhe as qeverisë qendrore, është përsëri i bllokuar nga qeveria për arsye të luftës politike. Ndërtimi i parkimeve publike dhe private nëntokësore. Parkimi më i madh publik nëntokësor, i parashikuar për tu ngritur tek ish-stacioni trenit, pjesë e projektit të Bulevardit të ri të Tiranës, është bllokuar nga Qeveria për arsye të luftës politike!”, tha Bozdo.

Ai tha se një ndër masat për lehtësimin e trafikut është edhe projekti i parkimit në kryeqytet, që sjell edhe të ardhura për Tiranën.

“Tirana është sot i vetmi kryeqytet në Europë dhe Rajon që nuk e ka një projekt për parkimin. Prishtina ishte i fundit në radhë me 5 mijë vende. Rregullimi i parkimit nuk sjell vetëm të ardhura për Tiranën, por është një instrument për të menaxhuar trafikun në zona të tëra që sot janë absolutisht të ngjeshura me trafik automjetesh dhe ku praktikohet parkimi dhe gjobëvënia informale. Tirana sot ka 42 mijë vendparkime publike por Bashkia menaxhon sot 2140 vende parkimi. Ky numër sipas Propozimit  do të jetë 7400, të vendosura në akset kryesore të qytetit”, sqaroi Bozdo.

Numri dy i Bashkisë së Tiranës tha gjithashtu se qytetarët e Tiranës nuk do të paguajnë, ndërsa theksoi se asnjë kompani nuk do të favorizohet, pasi gara do të jetë e hapur.

“Rezidentët nuk do të paguajnë. Ato do të pajisen me leje të posaçme për të parkuar brenda zonës së tyre në çdo çast, në çdo orë dhe pa asnjë pagesë. Të ardhurat sipas zonave do të përdoren në 80% të tyre pikërisht për shërbimet dhe investimet në infrastrukturën urbane të zonave përkatëse. Gara do të jetë e hapur dhe ndërkombëtare. Do të ftohen kompanitë më të mira europiane të marrin pjesë. Në vlerësimin e garës dhe negocimin e kontratës, Bashkia e Tiranës do të pajtojë eksperte të njohur të institucioneve evropiane. Asnjë kompani nuk favorizohet dhe nuk përfiton bonus, sipas legjislacionit aktual”, u shpreh nënkryetari i Bashkisë së Tiranës.

Bozdo tha se për këtë proces do të ketë një konsultim publik dhe asnjë hap nuk do të hidhet pa këtë konsultim, ndërsa sipas tij për shkak të zgjatjes në kohë, miratimi i projektit do të bëhet nga Këshilli i ri Bashkiak.

“Më e rëndësishmja është se para nisjes së procesit dhe të garës do të ketë një konsultim publik dhe masiv me qytetarët e Tiranës me qëllim informimin dhe marrjen e mendimit të tyre. Asnjë hap i mëtejshëm nuk do të hidhet pa këtë konsultim publik. I gjithë ky proces do të marrë gjithë kohën e nevojshme për të marrë transparencën maksimale dhe bashkë -vendimmarrjen me qytetarët e Tiranës. Në përfundim të procesit, do të jetë përsëri Këshilli Bashkiak, që do të vendosë, dhe me gjasa do të jetë këshilli i ri bashkiak për shkak të kohës të nevojshme që merr procesi. Ne jemi të vendosur ta modernizojmë Tiranën tonë. Të ofrojmë kushte më të mira jetese dhe cilësi më të lartë të shërbimeve. Asnjë presion, asnjë keqinformim me apo pa dashje, nuk mund të ndalë rrugën tonë. Kontratën tonë e kemi vetëm me qytetarët e Tiranës, atyre u detyrohemi t’u shpjegojmë çdo gjë, të mbrojmë interesin e tyre”, deklaroi nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo.

(m.k/BalkanWeb)

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: