Nga: DARINA TANUSHI*
TIRANE – Qeveria vendosi krijimin e një komisioni përgjegjës për shpërndarjen e medaljeve dhe dekoratave të nderit, pak ditë pas publikimit të lajmit në “Gazeta Shqiptare” për dekorimin e ish-anëtares së Komitetit Qendror të PPSH-së, Vito Kapos me “Medaljen e Mirënjohjes”. Sipas këtij vendimi “çdo autoritet, përgjegjës për dhënien e medaljeve ose titujve vendorë të nderit, sipas legjislacionit në fuqi për dhënien e dekoratave, titujve të nderit, medaljeve dhe titujve vendorë të nderit, krijon pranë tij një komision këshillimor, në vijim ‘komisioni’”. Ky komision do të përbëhet “nga 5 anëtarë, prej të cilëve 3 anëtarë duhet të jenë punonjës në varësi të autoritetit përgjegjës dhe 2 anëtarë personalitete të jashtëm, që përzgjidhen mes njerëzve të shquar dhe që kanë dhënë kontribut në fushën përkatëse”. Sipas vendimit, komisioni ngrihet, me urdhër të titullarit të autoritetit përgjegjës, çdo fillimviti kalendarik. Ndërsa, për vitin 2014, komisioni të ngrihet pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Ai do të funksionojë si organ kolegjial, vendimmarrës, pranë autoritetit përgjegjës për dhënien e medaljeve apo titujve vendorë të nderit.
PROCEDURA
“Të gjitha propozimet për dhënien e medaljeve dhe titujve vendorë të nderit i dërgohen autoritetit përgjegjës për dhënien e tyre, i cili i përcjell për vlerësim në Komisionin Këshillimor”, thuhet në vendim. Më tej vendimi thotë se, “komisioni shpreh mendimin e vet edhe nëse nisma për dhënien e medaljeve ose titujve vendorë të nderit është ndërmarrë nga autoriteti përgjegjës për dhënien e tyre”. “Komisioni nis punën me verifikimin e të gjitha elementeve, të kërkuara nga neni 18, i ligjit nr.112/2013, “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë”, të aktit të propozimit. Nëse propozimi nuk është i plotë, Komisioni Këshillimor kërkon, me shkrim, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalendarike, nga data e marrjes së propozimit, plotësimin e tij nga autoriteti propozues. Plotësimi i propozimit bëhet jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike nga data e marrjes së njoftimit”, vijon më tej vendimi i miratuar të mërkurën në Këshillin e Ministrave. Nëse propozimi është i plotë, komisioni këshillimor paraqet mendimin e vet pranë autoritetit përgjegjës brenda 30 ditëve nga data e marrjes së propozimit. Komisioni, gjatë organizimit të punës respekton afatet e përcaktuara në nenin 19, të ligjit nr.112/2013, “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë”. Në çdo rast, procedurat për shqyrtimin e dhënies së një medaljeje ose titulli nderi nuk mund të zgjatin më shumë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë kalendarike. “Komisioni shqyrton propozimet dhe merr vendimin me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm. Votimi është i hapur. Anëtarët e komisionit, që janë të pranishëm në mbledhje, nuk mund të abstenojnë. Kryetari i organit kolegjial voton i fundit”, janë disa nga rregullat që përcakton vendimi. Sipas asaj që thuhet në këtë vendim, “procesi i shqyrtimit të propozimit mund të shtyhet apo të pezullohet përkohësisht, për rrethana të paparashikuara, që dëmtojnë reputacionin dhe vlerën e aktit të medaljes ose titullit vendor të nderit në opinionin publik, deri në sqarimin e këtyre rrethanave. Arsyet e shtyrjes apo të pezullimit, si dhe afati, pasqyrohen në procesverbal”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
