TIRANË –Partia Demokratike ka denoncuar sot emërimin e ish-konsullit Drini Bello si shef i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm për Tiranën në Ministrinë e Brendshme. Ka qënë deputeti Genti Strazimiri, i cili ka ironizuar emërimin e Bellos pikërisht në këtë post, pasi, sipas tij,në vitin 2003, ai u shkarkua nga detyra që mbante, për lidhje kriminale.
“Edi Rama dhe banda që sot drejton shtetin vazhdon të promovojë dhe të emëroje në pozicione kyçe, elemente me të kaluar kriminale. Dhe me sa duket, meqënëse “po shkojmë drejt Evropës”, kriminelët e emëruar zgjidhen me “eksperience kriminale… evropiane, – tha Strazimiri.
Strazimiri tha se ish-diplomati u largua nga detyra në 20013-in me kërkesë të shtetit italian, pasi policia italiane arrestoi vëllanë e tij për trafik droge dhe vetë ai u shpall “person non grata”.
DEKLARATA E PLOTE E PD
Në kuadrin e “reformimit” të administratës shtetërore, dhe të “rrugës së mbarë drejt Evropes” në të cilën po ecka vendi, Edi Rama dhe banda që sot drejton shtetin vazhdon të promovoje dhe të emëroje në pozicione kyce elemente me të kaluar kriminale.
Dhe me sa duket, meqënëse “po shkojmë drejt Evropës”, kriminelët e emëruar zgjidhen me “eksperience kriminale… evropiane”
Kështu: Në vitin 2003, me kërkesë të shtetit italian, u largua nga detyra e konsullit shqiptar në Romë, Drini Bello.
Ai survejohej gjatë gjithë kohës nga policia, pasi kishte dyshime të vazhdueshme për përfshirje në trafik droge dhe armësh, duke shfrytëzuar imunitetin diplomatik dhe faktin se makina e tij ishte e mbrojtur me targa CD.
Në përfundim të operacioneve të saj, policia italiane arrestoi vëllanë e konsullit, i cili edhe u dënua për trafik droge, ndersa konsulli Drini Bello i shpallur “persona non-grata”, u shkarkua nga autoritetet tona.
Ky rast është një nga skandalet e rënda të diplomacisë shqiptare që mbahet në dosjen e zezë të përfshirjes së funksionarëve tanë të jashtëm në afera e trafiqe.
Çfarë ka ndodhur me ish konsullin? Me Edi Ramën, Drini Bello është rilindur sigurisht.
Sot ai është shefi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm për Tiranën, në strukturat e Ministrisë së Brendshme, me detyrën e mbikqyrjes së policëve shqiptarë që ….të mos merren me drogë e trafiqe të paligjshme…
Sipas standarteve të emërimeve të Edi Ramës, ky person ka pikërisht atë ç’ka i duhet, ka lidhjet që i duhen, ka të shkuarën që i duhet, për të ushtruar këtë funksion kaq të rëndësishëm në policinë e shtetit.
Caktimi në poste kyce i personave të lidhur me trafikun e drogës, është bërë sipas një skeme gjakftohtë e të mirëmenduar.
Secilit vendin e tij, sipas llojit të krimit ku ka qënë më parë i përfshirë.
Ky pra është inkriminimi. Raste flagrante si këto e bëjnë të domosdoshëm dekriminalizimin dhe pastrimin e Policisë, të administratës, të Politikës.
Por kjo kërkon vullnet.
Për fat të keq, vullneti i Kryeministrit është në anën e kundërt, në afrimin e trafikantëve, kriminelëve, në frymëzimin e tyre, në ndarjen e pushtetit me ta, dhe në caktimin e tyre në poste kyce.
Për ish-konsullin e përfshirë në skandalin e trafikut të drogës dhe armëve me makinën e tij CD, dhe që përdorte edhe konsullatën si bazë, si burim i vlefshëm informacioni për “të painformuarin” kryeministër, mund të shërbejë Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaci.
Ai do t’i japë më shumë informacion, pasi ka qënë jo vetëm dëshmitar i ngjarjes, por avokat i vëllait të konsullit që u kap dhe u dënua nga drejtësia italiane për trafik droge.
REAGON MB: PD SHPIF, EMËRIMI I BELLOS KREJTËSISHT LIGJOR
Ministria e Punëve të Brendshme ka hedhur poshtë akuzat e Partisë Demokratike për emërimin e Drini Bellos, pranë Drejtorisë së SHÇBA Tiranë.
Në deklaratën për mediat, Ministria e Punëve të Brendshme sqaron se “Drini Bello ka konkurruar në datë 21.02.2014 në Drejtorinë e Përgjithshme të SHÇBA për vendin e punës të shpallur të lirë “Specialit hetimi”. Pasi është shpallur fitues nga konkurrimi, është emëruar inspektor pranë Drejtorisë së SHÇBA Tiranë, detyrë të cilën e mban edhe aktualisht. Emërimi i tij është bërë pasi kandidati përmbushte të gjitha kriteret e përcaktuara nga ligji. Ky kandidat ka paraqitur dëshminë përkatëse të penalitetit si dhe vërtetimet e Gjykatës dhe Prokurorisë, në të cilat vërtetohet se ai nuk ka qenë i dënuar më parë dhe në ngarkim të tij nuk ka asnjë çështje penale të hapur”.
Gjithashtu Ministria e Punëve të Brendshme thekson se “Drini Bello është kontrolluar nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) dhe pajisur me certifikatë sigurie të kategorisë “Tepër sekret”. Bazuar në të gjitha këto të dhëna Ministria e Punëve të Brendshme sqaron opinion se emërimi i këtij shtetasi në detyrën e specialistit të SHÇBA është tërësisht ligjor”.
(ar.sh/er.nu/BalkanWeb)
