TIRANE- Kreu i Këshilltarëve të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, Leonard Olli ka reaguar në lidhje me deklaruat e kryebashkiakut Erion Veliaj sa i takon qëndrimit të tij për vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj. Olli theksoi se Veliaj nuk mbajti asnjë përgjegjësi për ngjarjen, por mori në mbrojtje partnerët e biznesit të landfillit në Sharrë.

“Mbrëmë në Top Story, Erion Veliaj, jo vetëm nuk mbajti asnjë përgjegjësi për vdekjen e Ardit Gjoklajt në landfillin e tij korruptiv e kriminal, por mori në mbrojtje edhe partnerin në biznes, kryesocialistin peqinas, të shpallur në kërkim por të mbrojtur nga Edi Rama, Edurim Teqja. Veliaj vazhdon të mohojë vrasjen tragjike të 17-vjeçarit, dhe kërkon tia hedhë përgjegjësinë aleatit LSI, që drejton Inspektoriatin e Punës. Por prokuroria nxjerr bllof Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, pasi në hetimet që ka bërë, rezulton se 17-vjeçari Ardit Gjoklaj është vrarë brenda kompanisë “3R” nga një fadromë që drejtohej nga një punonjës i kësaj firme. “Nga veprimet e para hetimore rezulton se shtetasi Ardit Gjoklaj ishte punëtor sezonal në landfillin e Sharrës, i pa regjistruar, por i punësuar nga firma “3R” sh.p.k, e cila është një firmë e nënkontraktuar dhe merret me përpunimin dhe riciklimin e mbetjeve urbane, i cili edhe në momentin e gjetjes së tij ishte i veshuar me rrobat e punës. Ky shtetas kishte 1 muaj që kishte filluar punë.”-shprehet organi i akuzës. Veliaj vijon me mashtrimin e tij duke thënë se 17-vjeçari ka vdekur shumë larg territorit të kompanisë.”, citohet në reagimin e Ollit, në emër të PD-së.

Më tej në reagim thuhet se: “Por hetimet e Prokurorisë tregojnë të kundërtën: “Kufoma është gjetur midis mbeturinave në një largësi 2.2 metra nga muri rrethues perendimor dhe 5.5 metra nga shtylla e krahut veriperëndimor të këtij kapanon”. Veliaj mashtron sërish kur thotë se nuk ka ndërhyrë në ndalimin e reportazhit Publicus për çka ndodhi në Sharrë, pasi jo vetëm e ka ushtruar gjithë presonin që ai të mos transmetohej, por nëpërmjet kryetarit dhe këshllitarëve kamikazë të maxhorancës në këshillin bashkiak, ai është konfirmuar si censurës në dhjetra raste, edhe i fjalës së këshilltarëve të opozitës. Një shfaqje kjo e turpshme që i ka hequr çdo legjitimitet këshillit bashkiak Tiranë. Refreni i tij prej pinoku se do të japë dorëheqjen e bën gjithmonë e më shumë qesharak në sytë e opinionit publik këtë mashtrues e falsifikues patologjik. Ne i bëjmë sërish apel prokurorisë që të zbardhë sa më shpejt këtë ngjarje dhe ngjarjet e tjera ku Veliaj është i implikuar drejtpërdrejt, pasi drejtësia e vonuar është një drejtësi e mohuar.”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: