NGA FATMIRA NIKOLLI*

“Dashuria nuk është martesë, nuk është dokument, dashuria nuk është marrëdhënie, nuk është letër, nuk është marrëveshje, as unazë, as fëmijë, është dashuri”. Ajo është një njeri letrash, që bart me vete emrin e gurit. Çdo ditë të marsit ka bërë të njëjtën udhë; nga një shtëpizë në rrugën “Derhemi”, ka dalë në rrugën “Hoxha Tahsin” e mandej, i është drejtuar qendrës, ku është ulur para Operës, e prej aty, ka parë qytetin të jetojë, të “marrë frymë”. “Në fillim të rrugës, shoh përditë një dyqan që shet zogj në kafaz. Është shumë e trishtueshme. Aty është një lepur i bardhë në një kafaz që e lënë jashtë dyqanit. E ledhatoj dhe iki”.

Petra Rosandiç ka tri javë në Tiranë. Poetja e re kroate, është mikja e parë e Rezidencës së Shkrimtarëve dhe Përkthyesve Letrarë “Tirana in Between” (themeluar nga Poeteka në bashkëpunim me rrjetin TRADUKI e Ministrinë e Kulturës). I pëlqejnë palmat, i pëlqen “arkitektura” në Tiranë, ndërtimet e gjithfarëllojshme ku asnjë godinë nuk ngjan me një tjetër. “Është gjallëri ky që ju e quani kaos”, thotë Petra, ndërsa shton se do të donte të thoshte se i pëlqen natyra, por marsi e ka pritur dhe po e përcjell me shi.

“Kam takuar njerëz të mirë, më pëlqen Blloku, shkoj në ‘Hemingway’, më pëlqen ushqimi, më pëlqen kafeja, jam përpjekur të flas shqip, por kam ngatërruar theksin ose fjalët dhe kanë qeshur me mua dhe më pas kam qeshur edhe unë”. Petra pranon se ka ardhur me paragjykime, “por si shumë të tjerë para meje, kam kuptuar se isha gabim”. Poete, koreografe dhe e dashuruar me filozofinë, ajo është krejt ndryshe nga poezitë e saj; nëse ato janë të trishta, ajo është plot gjallëri. Por mbase nuk janë vargjet të trishta, mbase janë realitetet të tilla, nëse i shohim ato në sy.

Në një bisedë për “Gazeta Shqiptare”, bihet dakord se njerëzimi ka dështuar ta bëjë botën një vend të mirë, se luftërat e përhershme duhet të kenë fund, dhe nuk bëhet fjalë vetëm për luftërat me armë. “Kur unë vdiqa”, dorëshkrimi i saj në anglisht, shpalos gjendjen e të qenit në mes. Prej aty, me sy të qashtër sheh përtej – para se të provosh lirinë e fundme e atë të plotën. Petra u përgjigjet disa pyetjeve ngritur mbi vargjet e saj.

– Ju shkruani se qyteti është ajo që ndjen mbi lëkurë kur sheh dikë në rrugë. Çfarë ndjen Petra në lëkurë kur sheh dikë në Tiranë?
Vargu ishte për qytetin tim. Kur i qesh dikujt në rrugë dhe nuk të njeh. Është ndjenjë e tmerrshme. Kam takuar njerëz të mrekullueshëm në Tiranë dhe tani pas më shumë se 20 ditësh e ndjej si vendin tim. Jam vërtet e trishtuar që duhet të iki. Kam miq këtu tashmë.

– Ky varg, kur e lexon të bën të mendosh se njeriu është ajo që ndjen – nëse je mirë me veten, je mirë edhe me qytetin.
Jam dakord. Por është këndvështrimi juaj. Secili e sheh ndryshe imazhin tim. Mendoj se gjëja e rëndësishme e të ndjerës, është njeriu që ndjen. Njerëzit janë në mënyrë të barabartë të lumtur e të palumtur kudo. Nuk kam parë këtu më shumë njerëz të palumtur sesa kam parë në vendin tim.

– Poezi, koreografi dhe filozofi, janë tri lamitë ku endeni. Nëse kërcimi është poezi, si i lëviz filozofia të gjitha?
Poezia e koreografia lidhen, siç lidhet çdo art me një pjesë tjetër të vetes. Çdo gjë është mbi lëvizjen, sepse lëvizja është diçka që ndan gjendjen e të qenit i vdekur, me gjendjen e të qenit gjallë.

– Dhe të gjitha nisin nga një mendim, nga një ide?
Po, çdo gjë nis aty. Madje edhe mendimi është lëvizje. Mendimi lëviz protone e elektrone, është ai që i bën lëvizjet, ndaj duhet të mendosh shumë për të shkruar dhe nuk duhet të shkruash çdo gjë që mendon.

– Çfarë po shkruan në Shqipëri?
Kam filluar të shkruaj tregime të shkurtra, gjë që nuk e kam bërë më parë. Në një farë mënyre jam mërzitur duke shkruar librin tim të dytë me poezi, u mërzita me të shkruarin e poezisë.

– Por kjo u ndodh shkrimtarëve kur mbarojnë një libër.
Po, por disi ndihem sikur nuk mund të shkruaj më poezi. Kam menduar se jam poete, por prej disa muajsh unë nuk mendoj dot në termat e poezisë. Më pas kuptova se kam filluar të mendoj në rreshta e fjali tregimesh dhe kam filluar të shkruaj, por do më marrë kohë.

– Ke shkruar se “nuk ka pasur kurrë paqebërës”. Ne kërkojmë gjithnjë paqe duke e ditur që nuk ka aq paqebërës për aq kohë sa ka kaq shumë luftëra, gjithnjë luftëra. Jo vetëm luftëra me armë, por luftëra të çfarëdoshme, edhe luftëra me veten.
Këto të tjerat, këto luftërat e tjera janë mbase më të këqija se ato me armë. Ka luftëra të përhershme në planet, që prej përherës, që prej njerëzimit. Nuk është gjë normale, por në një farë mënyre ne duhet të jemi në një luftë, dhe nuk e di pse, ndodh gjithnjë kështu. Është një varg pesimist sepse është një poemë për mua, ose për një njeri në gjendje vdekjeje, kur je në mes të jetës e vdekjes. Njeriu që vdes ndahet tek 7 bilionë njerëz, me të cilën unë nënkuptoj se jemi të gjithë njësoj, dhe nëse unë vdes, çdo gjë do vijojë të jetë njësoj.

– Asgjë nuk ndryshon, në mënyrë të vazhdueshme ne jemi njësoj? Për sa mund të vazhdojë kështu?
Unë flas për Nënën e Madhe që duhet të krijojë një njerëzim të ri, tjetër. Sepse ky njerëzim është i dështuar. Është një mendim pesimist, sepse në kohën që shkrova, po mendoja se si ky njerëzim dhe njerëzit në përgjithësi duhet të shkojnë drejt fundit. Dhe duhet filluar nga fillimi. Këto që po ndodhin po i bëjnë gjërat keq e më keq, dhe mbase do të ishte mirë të ndalonte këtu.

– Kjo po ndodh se ne nuk dimë të jetojmë?
Po, pikërisht. Në një farë mënyre ne nuk e meritojmë të jemi në tokë, nëse vazhdojmë të jemi kështu.

– Por, nëse ‘jemi ndarë në 7 bilionë’, edhe njerëzimi i ri do jetë si ne?
Kjo ishte çështja në poezi; njerëzit që vijnë pas njeriut që vdes (ikën), janë sërish plot me ankth, urrejtje, lëndojnë veten e të tjerët.

– Duket sikur “rrëzohet” edhe rimishërimi dhe ideja e një shpirti që përmirësohet, jetë pas jete?
Nëse ne do jemi ekzaktësisht kështu, po. Dhe ne në fakt jemi të njëjtët. Nuk mendoj se ne po ndryshojmë për të qenë më të mirë. Jemi të njëjtët njerëz të këqij, si para 1000 vitesh, e ky është shqetësimi im. Siç ju thatë, rimishërimi, është diçka që në teori është një proces për të bërë njerëz më të mirë, por në fakt nuk po ndodh.

– Në këtë pikë, nuk është vetëm dështimi ynë, pra jo vetëm i njerëzimit, por edhe i Nënës Natyrë, edhe i Zotit, edhe i Universit apo i energjisë, i cilësdo që ka krijuar?
Zoti nuk ekziston, mendoj, ose nuk mundet të ekzistojë, është materie. Materia është Zot. Por, po, ka dështuar! Nëna e madhe, Universi ka ndaluar së shqetësuari e së kujdesuri për ne. Mbase Universi na dërgon disa shenja që të thotë se ne duhet të ndryshojmë, pasi në të kundërt s’do jemi më mirë. Do jemi për pak kohë në tokë, ndaj duhet të menaxhojmë sa mundemi kohën tonë, jetën në tokë, praninë tonë në tokë, të kryejmë diçka, të lëmë diçka pas. Por, përtej këtyre duhet të jemi optimistë.

– Megjithatë, ju thoni se “është vonë, kudo të shohësh”.
Kudo të shohësh je vonë, sepse gjërat ndodhin edhe nëse je, edhe nëse s’je. Jetët tona janë mbase të pavlera, ne jemi asgjë, jeta ime ka vlerë për mua, por ne nuk jemi të rëndësishëm. Gjërat do ndodhin sërish, edhe nëse je pjesë e tyre edhe nëse jo, ato vazhdojnë. Çdo gjë lëviz e do jesh vonë për diçka që ndodh.

– A ia vlen prapë të përpiqemi?
Po, gjithnjë. Nuk ka problem të jesh pesimist. Është e shëndetshme, në kuptimin që ti po mendon dhe je gjallë, dhe do të thotë se je i ndjeshëm ndaj gjithçkaje përreth. Për disa njerëz që drejtojnë botën, do ishte mirë të kuptonin se ata nuk janë aq të mëdhenj sa mendojnë se janë.

– Ju flisni në vargjet tuaja për “madhërinë e shurdhërisë” dhe për lirinë. Ne e kërkojmë lirinë gjithnjë, jo vetëm lirinë nga burgu, por edhe nga burgjet që i vëmë vetes. A do e gjejmë?
Mendoj se, edhe nëse je në burg, nuk je i ndarë nga bota, se bota është brenda teje. Ti je bota, nuk ndahesh prej saj, jemi pjesë e së njëjtës gjë. Vargu është për njeriun që është në gjendje vdekjeje. Kur vdes, shqisa e fundit që humb është dëgjimi. Sensi i fundit që ke është ai. Nuk sheh, por dëgjon. Liria është fundi, është vdekja. Je i lirë nga ekzistenca jote, nga qenia. Atëherë je tërësisht i lirë, i lirë të lësh trupin e shpirtin. Më erdhi një mendim tani – mbase kjo do të thotë se ndonjëherë është mirë të mos dëgjosh të tjerët, mbase liria është të mos dëgjosh.

– Mbase kështu njeriu mbetet vetëm?
Mbase duhet të jemi vetëm sa të mundemi. Jo ti, jo unë, por njeriu. Shumë njerëz nuk janë mirë me veten dhe nuk e njohin veten, ose kanë frikë të rrinë vetëm, të mbeten vetëm. Ky është problemi, nuk janë të ndërgjegjshëm kush janë, nuk janë familjarë me natyrën e tyre. Nuk duhet të kërkosh të tjerë të të mbushin ty, duhet të ndihesh e plotë me veten.

– “Kur unë vdiqa” shkruani ju. Po çfarë është vdekja?
Është çdo lloj vdekjeje. Fundi nuk ekziston, nuk ke lindur dhe nuk vdes, je pjesë e së njëjtës energji. Një pjesë jeton gjithnjë. Trupi nuk jeton gjithnjë. Ajo poemë e ndarë në pjesë është trishtimi i tërë botës.

-Milan Kundera përmes personazheve të tij flet për trupin pas vdekjes, të lësh trupin me njerëz të panjohur. Ne mendojmë për vdekjen si për jetën, për trupin e vdekur si për trupin e gjallë, për trupin me shpirt si për trupin pa shpirt. Ju keni tjetër këndvështrim?
Kjo është në kulturën tonë. Ndonjëherë mbase jemi egoistë dhe duam të jemi të lidhur me të afërmit tanë, përmes një vendi ku u vëmë lule. Por unë shpesh pyes: pse na duhet varri?

– Si një vend ku mundesh sërish të takosh atë që ke humbur. Për t’i folur, për t’i treguar, për të thënë që ke mall?
Shpesh njerëzit që kanë humbur dikë në luftë, e trupi i të cilit nuk është gjetur kurrë, nuk janë në paqe, sepse nuk e dinë se ku është trupi. Unë mendoj se jemi egoistë. Kur vdes, nuk ke pse shqetësohesh për trupin; pse duhet ta bësh?!

– As për duart me të cilat shkruan, apo ndjen lëkurën tënde, prek fytyrën tënde?
E vlerësoj trupin tim, por nuk kam menduar ndonjëherë për trupin tim si diçka që është aq i rëndësishëm. Nuk është zgjedhja ime ky trup – unë mund të kisha pasur tjetër pamje. Është gjenetike, ose është si një kuti çokollate: nuk e di asnjëherë se çfarë ka brenda. Trupi është ‘maska’ jote. Si kërcimtare, për mua trupi ka rëndësi, por komandohet nga shpirti, nga energjia. Mund të kërcej me trupin tim, por nëse nuk komandohet nga energjia, nuk është më kërcim, është lëvizje, por nuk është art. Trupi është diçka që e përdor për të treguar diçka tjetër.

– Ju ironizoni masonët në një poezi tuajën. Pse?
Ishte një ëndërr në fakt, dhe e kam përshkruar siç e kam parë. Është sarkastike; kam bërë shaka me ta dhe me inteligjencën e tyre, dhe me veten time, se si jam një njeri ‘askushi’, që nuk “arrij nivelin e tyre të inteligjencës”.

– Cilët janë masonët, sipas jush?
Një apo 2% e njerëzimit që kontrollojnë botën. Masonët mund të zëvendësohen me këdo që drejton botën. Ata janë zotët tanë – ata na bëjnë të besojmë që jemi të rëndësishëm, që duhet të blejmë sa më shumë, e të besojmë çdo gjë që shohim në TV, çdo gjë që lexojmë. Është si filmi me Jim Carrey “Truman Show”, ose “Big Brother”. Është një “Big Brother” dhe shumë njerëz s’e dinë që janë pjesë e “Big Brother”.

– Ju keni shkruar për “Vita Minima” në një kohë që ishit dhënë shumë pas filozofëve Emile Cioran dhe Antonin Artand. A mendoni se të mosditurit të bën të lumtur, për aq sa një njeri, një qenie mund të cilësohet e lumtur?
Nuk jam kaq pesimiste në jetën e përditshme. Unë shijoj çdo çast të të qenit unë, dhe jam e lumtur që jam gjallë. Nuk rri në shtëpi të urrej këdo. Ka një lumturi të atyre njerëzve që nuk dinë asgjë. Mungesa e informacionit, e dijes, është shpesh lumturi për disa njerëz. Ata janë të ‘lumtur’, kanë informacione të servirura prej të tjerëve dhe mendojnë për gjëra që nuk janë të komplikuara.

– Kjo, a do ishte mënyra e duhur e të jetuarit?
Për ata. Unë nuk do e doja kurrë. Nuk do isha askush tjetër përveç vetes.

– Në shumë prej poezive tuaja nuk lexova për dashurinë, për dashurinë si eros, për dashurinë për një burrë. Pse? Kjo dashuri, a e bën njeriun më të mirë?
Dashuria, nuk ka qenë kurrë tema ime. Mbase jam poliamore, unë nuk mund ta ndaj atë entitet dashurie; dashuri burrë-grua, dashuri nënë-fëmijë, apo dashuri miqsh. Është e gjitha dashuri. Dashuria është diçka që duhet të ekzistojë falas. Nëse e do dikë, është ta duash të jetë i lumtur. Pikë. Nuk ka një “por”. Është të duash të tjerët të jenë të lumtur, jo të duash ta kesh pranë e ta shohësh çdo ‘tani e pastaj’ që do. Ka miq që i sheh rrallë, por i do sërish njësoj. Dashuria nuk është martesë, nuk është dokument, dashuria nuk është marrëdhënie, nuk është letër, nuk është marrëveshje, as unazë, as fëmijë, është dashuri.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: